31 Dhjetor, 2018 - 6:15 pm
Alberina Haxhijaj
Tenori Riad Ymeri, pjesëmarrësi i ‘Akordeve në Kosovë’ i cili arriti suksese në Kosovë por edhe në Shqipëria ka ndarë me KultPlus sukseset që po arrin edhe në Amerikë. Publiku i New York-ut po mahnitet nga zëri i tij i cili solli në jetë role të rëndësishme si Rodolfo nga “La boheme”, Don Jose nga “Carmen” apo Cavaradossi nga “Tosca”. Mirëpo përtej kësaj, në këtë intervistë, Riad Ymeri ka biseduar edhe për problemet që ka lënë pas në Kosovë e që ekzistojnë akoma. Kosova ka talente, rruga është e vështirë, mirëpo sipas tij, për të arritur suksese në karrierë e veçanërisht në operë, duhet lënë Kosovën.
KultPlus: Tashmë emri juaj, Riad Ymeri, shënohet përkrah yjeve të njohura të muzikës klasike. Si lindi dashuria juaj për muzikën dhe si e kujtoni gjithë këtë rrugëtim?
Riad Ymeri: Muzika ishte pjesë e traditës në familje. Thuajse të gjithë anëtaret e familjes kishin lidhshmëri me muzikën. Babai im Ramadan Ymeri ishte këngëtar i muzikës popullore dhe kishte një hit madje “Oh! çik e çak moj po del vera”. Ai gjithashtu ishte edhe valltar në ansamblin “Shota” për shumë vite. Nëna ime kishte kënduar në fëmijëri dhe kishte fituar çmimin e parë me këngën “Mami” në festivalin e njohur “Akordet e Kosovës”. Unë gjithashtu isha pjesë e Akordeve se bashku me motrën time në fëmijëri. Pra, unë e kisha muzikën pjesë të përditshme dhe ishte në shpirtin tim. Më vonë nuk kisha shumë interesim dhe lidhja e vetme me të ishte shkolla e mesme. Dashuria u rikthye në fakultet, kur regjistrova solo këndimin dhe më shumë entuziazëm ju qasa kësaj forme të bukur të artit, operës.
KultPlus: Jeni larguar nga Kosova pas shumë sukseseve që keni arritur. Keni interpretuar po ashtu edhe me Filharmoninë e Kosovës dhe në festivale të ndryshme. Si e kujtoni karrierën tuaj në Kosovë?
Riad Ymeri: Karriera ime në Kosovë ishte e bujshme dhe e bukur. Mu dha rasti qysh në fillimet e mija të këndoj në koncerte të ndryshme me piano por edhe me orkestër. Siç e thatë edhe ju kam pasur rastin të performojë me dhjetëra herë me Filharmoninë e Kosovës. Madje edhe në interpretimin e rrallë të operës komikë “Rita” të Gaetano Donizettit. Isha pjesëmarrës në shume festivale vendore por interpretova edhe jashtë si dhe në produksione televizive. Të gjitha këto me dhanë një emër para publikut kosovar. Publik për të cilët kam shumë respekt, ishin gjithmonë me ne duke i stërmbushur sallat në ditët e nxehta por edhe në të ftohtë.
KultPlus: Ju ka mbetur ndonjë gjë peng që do kishit dashur ta bëni sa keni qenë këtu?
Riad Ymeri: Nuk është se kam diçka që më ka mbetur peng. Si mundet me më mbetë peng perfomanca në një sallë famoze ose në ndonjë shtëpi operistike apo kompani, kur asnjërën nga këto nuk i kemi në Kosovë. Fatkeqësisht! Atje kemi Sallën e Kuqe, Filarmoninë e Kosovës, dhe shume talentë! Po të ishim këtu në New York apo diku në Evropë, ndoshta do më kishte mbetur diçka peng. Mirëpo përkundër kësaj, e pres një rilindje të komunitetit artistik-operistik, të bëhet diçka, çfarëdo qoftë ajo, që organizon, prodhon dhe mirëmban formën e operës si vlerë artistike me të cilën shteti jonë bëhet ngadalë pjesë e shoqërisë së civilizuar evropiane. Me vlera të tilla shkojmë pa viza në Evropë.
KultPlus: Ju po ashtu keni debutuar edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Tiranë. Si ishte ajo eksperiencë?
Riad Ymeri: Në Tiranë kam debutuar në vitin 2011 me “Flautin Magjik” të Mozartit. Pas saj, unë këndova për dy vite në mbi dhjetëra prodhime operistike të huaja dhe vendore. Atje jam shpërblyer edhe me një çmim prandaj Tirana dhe Teatri i Operës më dhanë mësime dhe kujtime të veçanta në udhëtimin tim të bukur dhe të vështirë. Pres me padurim të kthehem prapë.
KultPlus: Jeni mjaft i angazhuar tani edhe në Amerikë. Si i kujtoni ditët e para në Amerikë dhe sa ka qenë i vështirë depërtimi në skenën ndërkombëtare?
Riad Ymeri: Në Amerikë pata një fillim të lehtë pasi që fitova dy çmime në një konkurs shumë të fortë të këngëtarëve lirik. Pastaj pasuan artikuj, dy agjencione, koncerte dhe shfaqje të ndryshme. Fitova dy bursa për të bërë specializimet apo siç i quajnë këtu ‘Vocal and Artistic Refinment’, si dhe arrita të realizoj programe me artistë të mëdhenj të kohës. Vështirësia këtu qëndron se ka shumë konkurrencë. Sigurisht kisha ato rëniet edhe konfuzionet pasi që është luftë e pamëshirshme për të arritur në një kryeqendër siç është skena e New York-ut. Por,nëse punon ke fat dhe përkushtim atëherë me talent dhe punë mund t’ia dilni. Vetëm mos harroni të jeni edhe të qëndrueshëm dhe të keni shumë durim.Tani sa jemi këtu te talenti, unë e ritheksoj se Kosova ka shumë talent dhe rezultatet mund të jenë të mira kudo në botë vetëm nëse janë të përkushtuar dhe të përgatitur.
KultPlus: Sa është e vështirë sot që të jeni një tenor?
Riad Ymeri: Puna e tenorit ka shumë kërkesa dhe të shpenzon shumë kohë. Këtu në New York është gati e pamundur të kesh kohë të lirë për diçka. Vendi është shumë i madh dhe jeta është shumë dinamike. Mirëpo, njerëzit përshtaten dhe i koordinojnë gjërat duke ndjekur rrugët që i dërgojnë tek ëndrrat. Njëjtë është edhe për mua. Kishte shumë netë që flija vetëm 4 orë pasi që rrija duke studiuar dhe përgatitur mirë rolet, audicionet apo garat. Kishte edhe shume ‘JO’ por nuk u dëshpërova. Përkundër, ajo më dha më shumë motiv që të punoj, mos t’i përsëris gabimet, të jem i sinqertë dhe tu përshtatem rregullave të këndimit. Pikërisht sfidat që i kam pasur deri tani mi kanë sjellë sukseset.
KultPlus: Keni pasur mundësinë që të interpretoni edhe në Kosovë por tani edhe në Amerikë me shtëpi operistike të njohura. Sigurisht ky është një ndryshim i madh, mirëpo ku mendoni se janë mangësitë e muzikës klasike në Kosovë?
Riad Ymeri: Na mungon Opera e Kosovës. S’ka buxhet për të. Ka klasë të këndimit operistik në Fakultetin e Arteve, por nuk ka një operë, ose ndonjë kompani nën ombrellën e MKRS-së. Opera do kishte lulëzuar në Kosove, sikur edhe ato institucione që i kemi e që e bëjnë një punë të këndshme brenda mundësive. Madje edhe me sakrifica.
Me nivelin e parë dhe pas akademik të klasës së kantos në Kosovë mund të depërtosh, të jesh kandidat për pranim në Juilliard School of Music në NYC, ose të depërtosh në Evropë në majat me të larta. Por krejt këto vijnë deri tani me lëvizje individuale. Ne vet, si shoqëri nuk po e kultivojmë këtë fryt, ashtu siç edhe jemi bërë të famshëm që pas luftës nuk kultivojmë më as bujqësinë, në një tokë aq të plleshme …- kështu pra është realiteti, ne nuk po i shfrytëzojmë, madje as të mirat që na i ka falë Zoti. Pastaj për sallën që akoma na mungon, nuk do të flas pasi që me gjasa do e bëjnë një. Ne duhet ti përkrahim ato institucione që i kemi dhe të krijojmë edhe ato që na mungojnë, kështu do i bënim nder vetës dhe kulturës tonë kombëtare.
KultPlus: Keni interpretuar përkrahë yjeve të njohura të muzikës klasike, si është të punosh me ta dhe çfarë mendimi kanë ata për shqiptarët?
Riad Ymeri: Unë kam punuar shumë me të huaj të famshëm, deri të legjendat siç është Samuel Ramey. Tani, shqiptarët këtu njihen përmes Saimir Pirgut, Ermonela Jahos, Inva Mulës…përmes artistëve botëror që i kemi. Sa i përket komunitetit artistik, gjegjësisht, botës operistike, këtu më shumë njihen bullgarët që janë të njohur, sepse e kultivojnë operën dhe kanë këngëtarë shumë të mirë të cilët i kanë dhënë botës por edhe Amerikës, shumë emra të shquar dhe legjenda të artit operistik. Kurse ne kemi disa të tillë në skenën ndërkombëtare dhe po rritemi.
Më vjen mirë që ngadalë të gjithë së bashku po fillojmë që ti tregojmë botës që ne vetëm mund ti kontribuojmë qytetërimit evropian dhe perëndimor. Mua me vlerësojnë shumë ata me të cilët kam punuar dhe punoj dhe kam bërë një prezantim të mirë të kulturës tonë. Më së shumti më vjen mirë kur më pyesin se ku e kam kryer shkollën. Me kënaqësi ju them: Në Kosovë, në klasën e Merita Junikut, në New York, pastaj nga pak në Shqipëri dhe Austri.
KultPlus: Cili do ishte mesazhi juaj për tenorët në Kosovë apo për studentët në Universitetin e Prishtinës të cilët ëndërrojnë një karrierë jashtë Kosovës?
Riad Ymeri: Pasi që ne nuk e kemi një operë e as nuk flitet që të bëhet bile, ne duhet të lëshojmë vendin nëse synojmë karrierën. Atje s’ke ku të ushtrosh profesionin tënd. Mirëpo nëse vendosin me dal jashtë për me u avancu në muzikë, ju them se rruga është e gjatë, me plot ëmbëlsi dhe ithtësi. E tillë është edhe arti operistik, duhet të studiosh shumë, të shpenzosh shumë kohë me të, ndoshta për një sekondë të mrekullueshëm. Duhet që të përgatiten shumë këtu hyjnë: këndimi, studimi, dëgjimi i artistëve botëror, studimi i gjuhëve muzikore, udhëtimi jashtë vendit, sepse tek ne jeta muzikore është shumë e varfër dhe është vështirë për tu pasuruar duke ndjekur koncerte të formave të ndryshme… Do marrë kohë, mirëpo ia vlen të ndjekësh rrugët e vështira për realizimin e ëndrrës që keni dhe që e din se ia vlen.
KultPlus: Çfarë është duke punuar për momentin Riad Ymeri, dhe çfarë bënë ai në kohën e lirë që i mbetet?
Riad Ymeri: Tani ishte periudha e festave, isha i zënë shumë me aktivitete. Kam pasur shumë aktivitete me komunitetin shqiptar. Performova në Këshillin Bashkiak të New York-ut. Interpretova himnin kombëtar me rastin e 28 nëntorit. Performova në rastin historik të rikthimit të eshtrave të patriotit Mid’hat Frashërit këtu në NYC dhe me 28 nëntor tek Ambasada e Shqipërisë në Washington DC.
Vitin e përmbylla me shfaqjen e fundit si Rodolfo (roli kryesore) në operën e njohur La Boheme të Giacomo Puccinit, me Amore Opera NYC. Produksioni madje ishte edhe i sugjeruar nga New York Times Guide si e para nder pesë koncertet dhe shfaqjet operistike për ti parë gjatë festave. Një shfaqje kjo e cila rezultoi shumë e suksesshme.
Kurse kohën e lirë dhe Vitin e Ri do e kaloj me familje. Ata janë arsyeja që s’kam pranuar as oferta për këtë kohë pasi që kam dashur të kaloj festat në ngrohtësinë familjare, me bashkëshorten Leonorën dhe vajzën 6 muajshe që quhet Mâra.
KultPlus: A mendoni që të riktheheni në Kosovë me ndonjë koncert?
Vazhdimisht me shkruajnë nga Kosova dhe Shqipëria. Më mungon të performuarit në Kosovë por edhe në Shqipëri, pasi që kam shumë kujtime të mira. Planifikoj të vij në vitin 2019, por nuk kam akoma ndonjë datë. Sigurisht do ju lajmëroj më kohë.
KultPlus: Si do ta përshkruani vitin që po lëmë pas me disa fjalë?
Riad Ymeri: Si çdo vit tjetër, edhe ky solli diçka dhe mori diçka!
Ishte një vit shumë i suksesshëm, e fillova në janar me operën “Macbeth” të Giuseppe Verdit, ku pata rolin e tenorit Macduff dhe e përfundova si Rudolfo ne “La Bohemen” e Puccinit. Këndova në Carnegie Hall, New Jersey State Opera, pata shumë koncerte me orchestra të ndryshme si Camerata Orchestra NY, interpretova si solist-tenor në Simfoninë e 9-të të Bethovenit, duke performuar me Richmond County Orchestra ku edhe jemi prezantuar në TV Spectrum në NY, pastaj me Asian Cultural Symphony of US e shumë të tjera.
Mirëpo sa i përket performancave për komunitetin shqiptarë në NYC, një nga me të rëndësishmit për mua ka qenë organizimi dhe performimi në koncertin bamirës për Bekim Lumin. Jam tejet krenar që shumë artistë të njohur shqiptarë u bënë së bashku për të ndihmuar një tjetër artistë të madh. Përkundër kësaj Bekim Lumi na ka lënë dhe do i mungon skenës artistike dhe të gjithë neve…
Mirëpo mbi gjithë sukseset e arrira në punë në vitin 2018, Zoti na solli mua dhe Leonorës një mrekulli në jetën tonë, Mârën./ KultPlus.com