6 Qershor, 2024 - 10:55 pm
Vjollca Duraku
Pas një sërë koncertesh të mbajtura gjithandej nëpër botë, Kori Siparantum mbrëmë në Kishën “Shën Ndou” solli një frymë artistike me vepra të renesancës e deri te ato bashkëkohoret, të cilën frymë për muaj me radhë e kishte dhuruar në koncerte dhe gara të ndryshme ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Tashmë është bërë e zakonshme që shfaqjet e këtij kori me nam të cilat dirigjohen nga Memli Kelmendi, të mbledhin publik të shumtë në numër, të cilët me shumë ëndje e vëmendje përcjellin secilën vepër interpretuese, të sjellur në mënyrë mjaft unike përmes koreografisë dhe repertorit mjaft të larmishëm, i cili pashmangshmërisht bëhet një me audiencën. Mbrëmë u dhanë gjithsej 13 vepra nga kompozitorë vendorë e të huaj.
Ishte vepra “Ex alpess” e Memli Kelmendit e cila u dha në hapje të këtij koncerti. Elemente nga tradita shqiptare rugovase u vunë re fillimisht nga krijimi i tingujve të veçantë përmes rrotullimit të “tepsisë në sofër” nga një vajzë me kostume karakteristike të zonës, duke u pasuar me këngë majekrahu që po ashtu janë specifike për këtë anë. Një ngjyrë zëri e mrekullueshme e vokalistes Arbana Lushaj e plotësoi performancën, përderisa përfshirja e tupanit nga Fidan Stumcaku i jepte ngjarjes shumë ritëm duke e kompletuar në plotni.
Vepra “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgjëndërr” nga Baki Jashari e cila u interpretua nga kori dhe Aurora Hyseni në një ambient të errët e të ftohtë siç është kisha “Shën Ndou” krijonte vërtetë ndjesi sikurse vetë titulli i veprës, duke e hipnotizuar publikun në sallë në një gjendje mes gjumit dhe zgjimit.
Ndërsa vepra “Rrjedh në këngë e ligjërime” e interpretuar edhe nga baritoni Shaban Behramaj dhe pianistja Denita Dedushaj sikur i dha ëmbëlsi koncertit përmes një teksti aq të dashur dhe të pranuar nga gjithë të pjesëmarrësit e sallës, pjesë e së cilit ishin edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.
Tinguj mjaft unik, me pëshpërima, zëra misterioz, lëvizje ta pa parashikuara, strikte, të shoqëruara me errësirë, piano, tupanë, klarinet, pastaj duke përdorur edhe letrat e bardha si pjesë unike të performancës e deri te shtrirja e komplet anëtarëve të korit në tokë u dhuruan pafund emocione në pikat tjera interpretuese në këtë mbrëmje plot magji.
Veprat tjera të cilat publiku i shijoi ishin : “Media vita” të Michael McGlyn (Leon Shehu- vocal dhe Fidan Strumcakut- shaman drum), “Të Falemi o dhe” nga Rauf Dhomi, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “Kopile moj Kopile- arr nga Memli Kelmendi (Donika Rushiti-vocal, Dior Morina- clarinet, Denita Dedushaj- piano), “Fire” nga Katerina Gimon, “Sometimes, I feel Iike a motherless child” arr. Carsten Gerlitz (Erletë Regjepi-vocal dhe Denita Dedushaj-piano), “En ‘s Avonds” arr. Memli Kelmendi (Aurora Hyseni- tambourine), “Pax” nga Memli Kelmendi (Skender Hyseni-tenor), “Dies Irae” nga Ryan Main ( Agron Shujaku-piano), “Ta na solbici” nga Samo Vovk.
Përveq publikut mbrëmjen e sjellur në atdhe e kishte shijuar edhe vetë anëtarja e korit “Siparantum”, Natyra Mehmeti.
“Ndjenja për të performuar në vendin tënd, në vendin ku jemi shkolluar, ku kemi marrë gjithë këtë kulturë është një ndjenjë komplet ndryshe pavarësisht eksperiencave tona ndërkombëtare. Kur të kthehmi në shtëpi besoj që e japim gjithë zemrën në skenë. Po besoj që kjo është reflektuar jashtëzakonisht shumë te publiku, ku përmes këti kori kemi mundur të tregojmë që Kosova ka një potencial jashtëzakonisht të madh talentesh duke i përfshirë këtu edhe talentët e muzikës korale.
Ndërsa baritoni Shaban Behrami rikthimin e Korit Siparantum me koncert në Prishtinë e cilësoi si një mbrëmje me ndjesi tejet të veçanta.
“Ky koncert ishte njëri prej koncerteve më të veçantë sepse pas një kohe goxha të gjatë jemi rikthyer në Prishtinë me Korin Siparantum pas shumë udhëtimeve, sukeseve, garave, e festivaleve të ndryshme nëpër botë. Ka qenë një moment shumë i veçantë, shumë emocionues të paktën për mua, sepse në mesin e publikut ka pasur shumë njerëz, të afërm, kolegë, shokë me të cilët punoj çdo ditë, edhe për mua pa diskutim është një ndjenjë e veçantë kur i sheh këta kolegë duke të përkrahur në rrugën dhe suksesin tënd. Për mua ka qenë një mbrëmje jashtëzakonisht e mirë, të cilën e kam shijuar po ashtu shumë”, ka thënë Behrami.
Po ashtu edhe vetë dirigjenti Memli Kelmendi u shpreh i emocionuar për rikthimin e Siparantumit në Kosovë, pas koncerteve të shumta nëpër botë.
“Çdo herë kur performon para publikut vendas, për mua dhe besoj secilin prej nesh është një emocion tjetër dhe ndryshe prej të gjitha paraqitjeve tona nëpër botë sepse njerëzit të cilët të përkrahin në këtë rrugëtim sonte kanë qenë këtu me ne, gjë e cila është diçka shumë e rëndësishme dhe është pjesë e rrugëtimit dhe misionit tonë”, ka thënë Kelmendi.
Dirigjenti Kelmendi më tej ka bërë të ditur se programi i cili u dhurua mbrëmë në koncert ishte një pjesë e asaj çka është interpretuar nëpër botë, e me të cilin program kanë korrur shumë suksese.
Kjo është diçka prej punës tonë, fatkeqësisht jo të gjitha kemi mundur t’i prezantojmë për shkak të festivaleve nuk lejohet që të shpalosen veprat, kemi konsideruar që duhet të jenë disa prej tyre të paktën të ju japim një dhuratë si shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që qëndrojnë në mbështetje të Korit. Ne sonte jemi paraqitur me vepra të ndryshme të formacionit vokal, me vepra që nga periudha e renesancës e deri tek muzika bashkëkohore duke mos anashkaluar edhe veprat e kompozitorëve shqiptar qoftë vepra të adaptuara apo vepra origjinale” ka thënë më tej Kelmendi.
Ndërsa për pianistin Agron Shujaku koncerti i mbrëmshëm i Siparantumit kishte sjellë freski te publiku i vendor.
“Unë pas një pauze të konsiderueshme nga interpretimi në Korin Siparantum, sonte u riktheva me një pikë performuese. Për mua ka qenë një ndjenjë e veçantë sepse sonte kam mundur të përjetoj koncertin edhe duke qenë pjesë e publikut, edhe pjesë e performancës. Ka kohë që kori Siparantum nuk ka mbajtur koncert në Prishtinë, mendoj që ka sjellë një freski te publiku vendor”, është shprehur pianisti Shujaku./ KultPlus.com