Rikthehet pas 32 viteve mungesë, Orkestra Simfonike në qytetin e Shkodrës

12 Prill, 2023 - 3:18 pm

Shkodra dëshmon edhe njëherë tjetër se mbetet shtëpia e madhe e artit dhe kulturës shqiptare.

Pas 32 viteve mungesë Shkodrës iu rikthye Orkestra Simfonike. Një moment që do të mbahet mend gjatë.

E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, por kryeveprat e kompozitorëve të këtij qyteti si: Çesk Zadeja, Prenkë Jakova, Tish Daija, Pjetër Gaci, Palokë Kurti, Tonin Harapi, At Martin Gjoka, etj., u rikthyen me krijimtarinë që na kanë lënë si trashëgimi.

Formacioni prej 51 instrumentistësh u shoqërua nga vokalet e emrave të njohur si: Marjana Leka, Adelina Paloja, Armando Likaj apo instrumentistëve: Lorenc Radovani, Amir Xhakoviq, Odesa Meti etj.

Alberta Kaçaj, soprano: “Kam qenë pjesë në festivalin e fëmijëve kur me ka dirigjuar i madhi Prenkë Jakova. Edhe sot kthehem mbas 55 vitesh”.

Armando Likaj, bariton: “E meriton Shkodra këtë, ndoshta e ka merituar prej kohësh, por nuk prish punë dhe kështu. Shyqyr që u bë, mblodhëm forcat me njëri-tjetrin, pasi në bashkëpunim arrihet çdo gjë”.  

Adelina Paloja, soprano: “Ky është një moment historik jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë kombin shqiptar. Sepse vetë shkolla dhe zanafilla ku kanë filluar mësimet e para në instrumentin e pianos fillimisht quhet “Prenk Jakova”.

Jetmir Barbullushi, dirigjent: “Ne jemi një qytet me një traditë të jashtëzakonshme muzikore. Dhe aq më tepër, që në këtë sallë kisha vite pa e ndjerë”.

Zhani Ciko, Mjeshtër i Madh: “Ky është një triumf i Shkodrës kulturore, i Shkodrës muzikore dhe që është qendra më e rëndësishme e traditave shqiptare”.

Formimi i Orkestrës Simfonike të Shkodrës nën kujdesin e kryebashkiakut Bardh Spahia, plotëson në këtë mënyrë Filarmoninë e qytetit ndërsa koncerti i saj i radhës do të jetë muajin e ardhshëm. / oranews / KultPlus.com

Të ngjajshme