13 Dhjetor, 2021 - 12:09 pm
“Anibar” dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla” këtë dhjetor po e vazhdojnë organizimin e “Peja Jazz” – serisë së koncerteve që lindi si shpresë në kohën kur pandemia COVID-19 goditi skenën e kulturës gjithandej globit.
Një vit më vonë “Peja Jazz” rikthehet për ta vazhduar qëllimin e promovimit të muzikës jazz dhe shndërrimin e qytetit të Pejës në stacion për adhurues të këtij zhanri.
Programi i sivjetmë është shtrirë përtej rajonit duke sjellë para publikut bandeonistin italian, Daniele di Bonaventura, një muzikant i jashtëzakonshëm, shoqëruar nga miku i tij prej 30 vjetësh, kitaristi Roberto Zechini.
Publiku do ta prekë nga afër edhe performancën e “AJS Quartet” nga Tirana, me Gent Rushi, Ermal Rodi, Emilijan Dhimo dhe Roni Gjura. “AJS Quartet” tash dhjetë vjet, përveçse njihet si grupi më i suksesshëm i xhaz-skenës shqiptare, është edhe avokues i xhazit bashkëkohor ballkanik.
Rrugëtimi i sivjetmë do të përmbyllet me kitaristin shkodran Kejdi Barbullushi, student në Vjenë dhe një nga muzikantët e dalluar të gjeneratës së re të muzikantëve shqiptarë. Në “Peja Jazz” vjen me formacionin e tij të themeluar së voni, bashkë me dy multiinstrumentistë të xhaz-skenës kosovare: Visar Kuçi dhe Enes Beu.
Programi “Matinée” sivjet zëvendësohet me “MirëmënJAZZ”, si thirrje për t’i kaluar mëngjeset së bashku duke risjellë fonotekën e “Peja Jazz” dhe jo vetëm.
Ju mirëpresim nga 15 deri më 17 dhjetor në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.
Ky edicion i “Peja Jazz” është kuruar nga Dardan Selimaj. /KultPlus.com