“Rikthim, polifonia labe” në COD, kujtohet muzikanti i Pavarësisë, Bilbil Vlora

2 Nëntor, 2024 - 10:45 pm

Bilbil Vlora një nga interpretuesit më të njohur të muzikës qytetare me saze, është kujtuar përmes aktivitetit “Rikthim, Polifonia labe” në Qendrën për Hapje dhe dialog.

Nëntori i festave kombëtare erdhi në kujtim të mjeshtrit dhe themeluesit të traditës muzikore me saze në Vlorë, ku një shekull më parë regjistroi në kompaninë diskografike “Columbia”, këngën e Selami Musait.

“Mjeshtri Bilbil Vlora ishte talent i përmasave botërore. Kontributi i tij lidhet me fytyrën identitare që duhet të kishte qyteti shqiptar që po dilte nga periudha e pas shpalljes së pavarësisë. Kur qytetet shqiptare filluan që të formësoheshin si qytetet, lindi nevoja që të kishin një muzikë popullore. Bilbil Vlora e kishte të vështirë për pjesën e Labërisë, sepse qytetet e Labërisë ishin më pak të zhvilluara se qytetet e tjera. Ky bëri të njëjtën gjë. Të gjithë muzikën e bukur e mori dhe i shndërroi në një lëndë të parë muzikore, për Vlorën”, tha Vasil Tole, etnomuzikolog, për mediat.

Aktiviteti u shoqërua me performancë muzikore dhe valle, ndërsa mjeshtrin Bilbil Vlora e kanë konsideruar si muzikantin e pavarësisë.

“Vepra mban brenda shpirtin e historisë, kujtesën e një populli he vazhdimësinë e një trashëgimie të çmuar. Kënga e Selam Musait që në vite është bërë simbol i krenarisë dhe qëndresës shqiptare vjen sot me një formë të re, e gjallë dhe plot shpirt”, u shpreh kompozitori Klodian Qafoku.

Gjetja dhe konservimi prej stërnipit i disa disqeve origjinale gramafoni të regjistruara nga Bilbil Vlora erdhi në kuadër të studimit të artefakteve kulturore në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë.

“E gjithë kjo fillon kur isha fëmijë dhe dëgjoja për stërgjyshin. Bëhesha shumë kurioz se çfarë ka bërë ky emër. Shkova në Korçë dhe dëgjoj për herë të parë zërin e tij dhe e kuptova madhështinë e tij. Të dëgjoje zërin e tij ishte diçka e papërshkruar”./ KultPlus.com

Të ngjajshme