4 Korrik, 2022 - 1:50 pm
Uranik Emini
“Kori nuk është thjesht një hobi apo aktivitet pas shkollës, është një mënyrë jetese”, thotë një shprehje. Një gjë e tillë shihet edhe në performancat magjike të korit “Siparantum”, të cilët u rikthyen në DAM Festival, aty ku edhe filluan rrugëtimin e tyre, për të dëshmuar se madhështia vjen nga fillimet e vogla. Pas pushtimit të skenave më të njohura botërore, “Siparantum” në krye me Memli Kelmendin, vazhdoi në mënyrë unike afirmuese të ndezë shqisat dhe të qetësojë nervat e njerëzve të pranishëm në kishën “Shën Ndou” të mbushur plot, të cilët brohoritën në mënyrë spektakolare për njërin ndër koret më të suksesshëm në Kosovë dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.
Mes shumë sfidave, DAM Festival e përmbylli edicionin e 17-të duke ofruar një programacion të pasur dhe gjithashtu edhe rikthimin e korit “Siparantum”.
Për të folur më shumë rreth asaj se çfarë kaluan gjatë këtij edicioni, organizatorja Rreze Kryeziu, tha për KultPlus se mungesa e një salle të duhur për të shtrirë në mënyrë të duhur performancat e tyre, po i përcjellë ata vit pas viti.
“Secili edicion i ka padyshim të mirat e veta, sepse në të kundërtën nuk do ta realizonim, por padyshim këtu përfshihen edhe sfidat. Ne vazhdojmë në edicionin e 17-të me radhë që të kemi mungesë të kushteve elementare, sikurse që është mungesa e një salle përkatëse dhe jo më kot është evidentuar edhe lëvizja e koncerteve prej një salle në sallën tjetër. DAM-i në edicionet e kaluara i ka realizuar sepse kemi pasur qëllim që të eksplorojmë hapësirat e ndryshme në mënyrë që të realizojmë koncertet tona, por kësaj radhe ky nuk ka qenë qëllimi pasi ka munguar një sallë përkatëse”, tha Kryeziu duke falënderuar edhe një herë tjetër të gjitha institucionet të cilat kanë ndihmuar në realizimin e këtij koncerti.
E pyetur në rikthimin e korit “Siparantum”, Kryeziu thotë se e tërë shoqëria e pret me entuziazëm rikthimin e tyre. “Kjo është evidentuar edhe sot, kur pyetëm publikun pas shfaqjes dhe gjithashtu edhe i kërkuam falje për temperatura të larta, thanë se nuk e kanë vërejtur një gjë të tillë pasi ata morën një freski shpirtërore nga performancat e korit”.
Në anën tjetër, kompozitori Memli Kelmendi tha për KultPlus se është shumë i kënaqur që janë rikthyer në përmbylljen e edicionit të 17-të, por kjo nuk do të thotë se do të përmbyllet edhe rrugëtimi i korit “Siparantum”.
“Rrugëtimi jonë besoj edhe duhet të jetë më i gjatë edhe pas nesh, kjo pasi muzika gjithmonë mbijeton. Ne sot kemi shpalosur një program kolosal dhe kemi shpalosur suksesin e festivalve që kemi përmendur disa herë. Veprat të cilat kemi qenë pjesëmarrës në skenat më të njohura botërore. Publiku mendoj që ka pasur rastin të përcjellë dhe të shijojë disa prej pikave të cilat ne i kemi interpretuar në festivale të ndryshme, e sonte i kemi paraqitur përpara publikut të Prishtinës. Një energji ndryshe, na ka munguar kjo atmosferë. Ne u rikthyem në Prishtinë pas dy viteve dhe të them të drejtën më ka marrë malli shumë dhe sonte jam ndjerë tamon si pjesë e shtëpisë sime. Dua të falënderoj Dardanin, Rrezen dhe gjithë stafin e Festivalit DAM për ftesën edhe për organizimin e tyre fantastik që kjo mbrëmje të jetë në shpirtin e secilit prej audiencës”, tha Kelmendi.
Veçantia e jashtëzakonshme e korit “Siparantum”
“Të gjithë njerëzit në korin “Siparantum” janë vullnetarë, edhe unë jam vullnetar edhe Agroni gjithashtu. As kryetari i korit nuk paguhemi për punën që e bëjmë. Shpërblimi më i madhi, pagesa më e madhe që ne e kemi është suksesi të cilin ia kemi sjellë vendit tonë, mendoj që kjo gjë nuk mund të blehet me pare. Do të thotë, mendoj që shpesh herë puna kur bëhet me pare është ndryshe, ajo punë që bëhet vullnetare dhe bëhët me shpirt, jehon ndryshe. Ne jemi duke e bërë punën me shpirt dhe jemi shumë të etur dhe e shohim se sa e nevojshme është prezantimi i kulturës dhe vendit tonë ndërkombëtarisht. Prandaj, këtë atmosferë po ia japim edhe vendit tonë”, tha ai, duke njoftuar se kori “Siparantum” ka ftesa të shumta, madje i ka të siguruar ftesat deri në vitin 2025.
Në shtator dhe tetor, kori “Siparantum”, siç njofton Kelmendi, do të paraqitet në dy skena të njohura të botës, derisa për shkak të konfidencialitetit nuk mundi të zbulojë diçka konkrete.
Pianisti kosovar, Agron Shujaku, i cili ka një bashkëpunim të ngushtë me korin “Siparantum”, tha për KultPlus se ky është festivali më i veçantë i korit ndonjëherë.
“Bashkëpunimi im me Memlin ka filluar në vitin 2019 kur kemi pasur një koncert dhe unë kam qenë një mysafir i ftuar në një pikë dhe që nga atëherë kemi qenë të pandashëm. Unë mendoj që kemi mbajtur koncerte shumë, por ky ka qenë më i miri që e kemi bërë, ndoshta sepse ka qenë edhe një finalizim i punës. Disa prej veprave i kemi performuar edhe nëpër Evropë dhe ato janë pjekur e janë ngritur çdo herë më mirë e më mirë, ky koncert ka qenë kulminacioni i kësaj pune, sidomos punës dy vjeçare prej pandemisë e deri në ditët e sotme”, tha Shujaku, duke shtuar pjesën se kori “Siparantum” është në një prej 6 koreve më kontribuese të këtij viti.
Baritoni Shaban Behramaj, korist dhe njëherish edhe solist i mbrëmjes, ka thënë për KultPlus se përveç tjerash, fakti që pas një mori koncertesh jashtë vendit, garave e fitoreve, kthimi në Kosovë ka një përgjegjësi më të madhe.
“Njerëzit janë mësuar të të shohin duke fituar nëpër gara të ndryshme, prandaj përgjegjësia tek ne është rritur dhe për këtë aryse kemi ardhur me këtë koncert siç ishte sonte. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që përveç si korist, në skenën e Filharmonisë së Berlinit, kam performuar edhe veprën e Memli Kelmendit si solist, kjo gjë më ka nderuar dhe jam shumë i lumtur që e interpretova edhe sonte këtu. Duartrokitjet kanë qenë të jashtëzakonshme, ngrohtësia e publikut shumë e madhe dhe pritja e tyre gjithashtu shumë e madhe, e për këtë gjë jam shumë falënderues”, tha ai.
Përmes tingujve të lavdishëm nga të gjithë anëtarët e korit, u shpreh edhe muzika si emocion, për të treguar edhe një herë fuqinë dhe madhështinë e një orkestre botërore. /KultPlus.com