13 Dhjetor, 2018 - 2:36 pm
Alberina Haxhijaj
Ansambli Vokal “Okteti Plus” i themeluar në vitin 2005 është rikthyer mbrëmë në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare me një program i cili rrëmbeu të pranishmit. Veprat e tilla si “Lulëzoi lulja’, “Dindirin, dindirin”, “Good night sweetheart” apo “Bash n’zaman’ tregun një pjekuri artistike të “Oktetit Plus” i cili prezantoi muzikën kontemporane vokale, shkruan KultPlus.
Maestroja që fshihej prapa “Okteti Plus” në këtë koncert ashtu si herëve të kaluar ishte Ylber Asllanaj. Udhëheqësi artistik i cili është së bashku me “Okteti Plus” që nga koncerti i parë debutues në vitin 2005.
“Ishte një koncert pas disa vitesh mungesë të ‘Okteti Plus’ në skenë. Kuptohet në paraqitje të këtij lloji, pasi që ‘Okteti Plus’ ka qenë aktiv dhe ka funksionuar edhe pse shpesh herë me vështirësi. Kësaj radhe duke ju falënderuar Ministrisë së Kulturë, Kuvendit Komunal dhe disa miqve tanë edhe nga Shtetet e Bashkuara si Afrim Shabanit, i cili është një profesor i muzikës në SHBA dhe na ka furnizuar me partitura dhe na ka ndihmuar shumë.”, tregoi Asllanaj duke falënderuar të gjithë që ndihmuan në realizimin e koncertit.
“Okteti Plus” rrëmbeu të pranishmit me programin e tyre të larmishëm. Një program i përzgjedhur me kujdes që të prek sa më shumë shije. Programi u veçua për vepra shqiptare të riaranzhuar por edhe ato pop e jazz po ashtu të riaranzhuar. Gjithmonë, duke pasur në fokus të tyre edhe muzikën kontemporane vokale, e që është vokacioni i tyre.
“Mendoj se publiku ynë e meriton që të dijë se çfarë po ndodh me trendet botërore dhe në këtë aspekt shpresoj dhe besoj që e kemi prezantuar në mënyrë të denjë”, theksoi Asllanaj për KultPlus.
‘Thyerjen’ e rrjedhës së këtij koncerti e bëri Ansambli i tunxhit “Prishtina Brass”. Veprat “The Great Albanian Warrior”- arr. A. Wagner dhe “Habanera & Toreador Song”- arr. W. Barnes, u gërshetuan shumë bukur me pjesën tjetër të programit të “Oktetit Plus”.
Kur filloi “Okteti Plus” shumica e anëtarëve ishin të ri. Tenori Safet Berisha u bë pjesë e tij dy vite më vonë, në vitin 2007. Për KultPlus ai tregoi se dëshira për të sjellë para publikut një koncert të tillë ka qenë e kamotshme.
“Kemi pasur një pauzë për shkak të obligimeve tona personale mirëpo ka kohë që e kemi pasur idenë dhe dëshirën për të bërë këtë rikthim. Një rikthim artistik pasi që kemi pasur në ndërkohë prezantime edhe nëpër manifestime të ndryshme. Kemi filluar provat para dy viteve. Atëherë çdo gjë ishte gati mirëpo përsëri për shkak të angazhimeve të tjera bëmë një pauzë për të mbledhur forcat dhe për të sjellë këtë koncert sonte. Kuptohet me sakrifica pasi që dikush ka punuar deri në ora 16:00 dhe pastaj ka ardhur në prova”, u shpreh Berisha.
Me rikthimin e tyre “Okteti Plus” dëshmoi edhe një pjekuri artistike dhe një qasje më ndryshe ndaj veprave. Vepra të cilat i interpretuan për herë të parë shoqëruar me vepra të cilat tashmë janë identifikuese siç janë veprat në shqip.
“Jemi të motivuar për të vazhduar me koncerte të tilla madje edhe për realizimin e një turneu nëpër Kosovë. Ansamblet vokale e kanë atë lehtësimin që nuk kanë nevojë për instrumente dhe mundemi shumë lehtë me udhëtu prej një qyteti në një tjetër. Është diçka shumë me interes pasi që programi përveç që është modern, atraktiv ka pjesë që e nxit edhe një publik i cili është pak laik ndaj muzikës serioze. Kjo nxitje besoj që pastaj ndikon që kjo pjesë e publikut të përcjellë muzikën artistike”, theksoi ai.
Mbrëmja u përmbyll me “The Pink Panter”- arr. J. Althous. Vepra solli në skenë së bashku me “Oktetin Plus” edhe kompozitorin Valton Beqirin i cili i shoqëroi në piano./ KultPlus.com