21 Nëntor, 2022 - 7:29 pm
Uranik Emini
Në përkufizimin e saj, Orkestra përfaqëson një grup interpretuesish në instrumente të ndryshme muzikore, duke përfshirë veçanërisht instrumentet me tela të klasës së violës, klarinetat dhe flautat, kornetat dhe trombonat, daullet dhe cembalet, për të luajtur muzikë, si simfonitë, operat, muzika popullore ose kompozime të tjera. E veçanta e Orkestrës Filarmonike të Kosovës është pjesa ku ata veprojnë dhe luajnë sikur të jenë një. Aftësia më e madhe që tregon edhe madhështinë që ata posedojnë, përfshin kapacitetin e tyre për të tingëlluar si një entitet koheziv, që të gjithë luajnë të njëjtin stil për të prodhuar tinguj unikë dhe kësisoj shtojnë edhe më shumë entuziazmin e publikut, shkruan KultPlus.
Mbrëmja e së dielës për shumë qytetarë ishte e rezervuar për Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, e cila koncertin e saj e filloi nga ora 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit Rinisë. Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, koncerti u hap me uverturën “Coriolan” të Ludwig van Beethoven për të vazhduar me “Koncertin në G major” të Maurice Ravel të interpretuar nga pianistja e re por e shquar kosovare Anila Aliu e cila u rikthye në një koncert me Filarmonia e Kosovës pas 10 vitesh. Ajo debutoi me Filarmoninë kur ishte vetëm 12 vjeçe, si fituese e çmimit “Pianistja e re”.
Pjesa e dytë e koncertit ishte e rezervuar për premierën botërore të “Simfoni Epike” nga Fatos Qerimaj me tekst të Robert Wilton dhe me soliste mexosopranon Diellza Sylejmani.
Në një intervistë për KultPlus, Anila Aliu është shprehur e lumtur për rikthimin e saj në Filarmoninë e Kosovës.
“Sonte ka qenë një koncert i mrekullueshëm, kam pasur nderin dhe kënaqësin që të performoj me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës pas 10 viteve. Gjithmonë është një nder i veçantë që të performosh në skenën kosovare përpara një publiku kaq entuziast, para shumë profesorëve të mi, para familjarëve dhe dashamirëve të artit”.
Kushtet e krijuara nga vështirësitë nuk e “thyejnë” Filarmoninë e Kosovës
Anila Aliu ka marrë pjesë në festivale të ndryshme nëpër botë, duke udhëtuar kështu në vende të ndryshme. Ajo beson se përkundër faktit se Kosova dhe kushtet e saj në këtë fushë nuk janë aspak në të njëjtin nivel me shtetet e tjera, megjithatë punohet shumë për të arritur rezultate.
“Këtë koncert do ta mbaj në mend gjithmonë, edhe pse kushtet të cilat i kemi këtu nuk janë aspak në nivel me ato të koncerteve ndërkombëtare. Përkundër kësaj, vlen të përmendet fakti që edhe pse në kushte të vështira, muzicientët këtu punojnë shumë edhe jemi munduar që të japim maksimumin dhe të shijojmë këtë mbrëmje, po besoj që edhe për publikun ka qenë një koncert fantastik në bazë të duartrokitjeve dhe entuziazmin që shfaqën. Të performosh para publikut tënd është një përgjegjësi më e madhe, më sfiduese sigurisht, mirëpo natyrisht që performimi përpara njerëzve të tu është diçka që nuk përshkruhet me fjalë”, përfundon ajo.
Nga ana tjetër, Fatos Qerimaj shpjegon për KultPlus se si erdhi te momenti për të shkruar veprën që pati premierën botërore këtë natë, “Simfonia Epike”, me tekst të Robert Wilton.
“Unë shkëputa një fragment nga Edit Dura që thotë The Land of The Living Past, e kjo më bëri që të shkruaj këtë simfoni në kohën e pandemisë, duke përfshirë konceptin epik dhe lirik të natyrës shqiptare, konkretisht atë të veriut. Kjo ishte edhe arsyeja që vendosa ta realizoj këtë vepër premierë në Prishtinë, duke pasur parasysh epizmin dhe lirikën e trevës përkatëse”.
Energji e pashtershme për të prodhuar magji pranë publikut
“Ajo që unë mora sot nga orkestra e Filharmonisë së Kosovës ishte një energji teper pozitive, e cila shpalosi me të vërtet një krenari orkestrale që është brenda veprës, për të treguar trashëgiminë dhe të ardhmen”, shpjegon kompozitori Qerimaj.
Dirigjenti Gridi Kraja pohon se bashkëpunimet me Filarmoninë e Kosovës janë të shpeshta, ndërsa e vlerëson shumë performancën nga kjo këta të fundit dhe veçanërisht nga pianistja Anila Aliu.
“Ky ishte një koncert i veçantë do të thosha, sepse në këtë koncert luhej një vepër krejtësisht premierë. “Simfonia Alpine” e Fatos Qerimaj, e bazuar në motive veriore të Shqipërisë. Simfoni shumë e veçantë e fuqishme dhe me mesazh e të gjitha. Një performancë shumë, shumë e mirë edhe nga Anila Aliu. Një koncert që është shumë sfidues për orkestrën, por mund të themi se u arrit shumë mirë. Solistja bëri një lojë shumë të mirë dhe gjithashtu edhe uvertura e njohur “Coriolan” nga L. V. Beethoven. Jam shumë i kënaqur me koncertin, gjithmonë mbetem i kënaqur me orkestrën, me të cilët kemi një bashkëpunim gjithmonë, janë kolegët e miqtë e mi”, shprehet Kraja.
Edhe solistja mekso-soprano, Diellza Sylejmani, tregon për KultPlus se përkundër vështirësive të shumta në mungesë të kushteve, sidomos mungesës së sallës adekuate, në Kosovë ka artistë të jashtëzakonshëm.
“Për mua ishte një nder së pari dhe sigurisht edhe një kënaqësi të isha pjesë e veprës premierë të Fatos Qerimajt. Kjo vepër është shkruar nga kompozitori në periudhën e pandemisë dhe për të e ka pasur një domethënie të veçantë. Pjesa ku unë këndoj fillon e këndohet për tokën, për malet, për shqiponjat, të cilat e karakterizojnë Shqipërinë. Paraqitja mund ta keni parë edhe vetë që ishim shumë afër me publikun, saqë e kisha ndjenjën që po i këndoj te veshi i dikujt. Në Kosovë ka artista, këngëtarë e instrumentista shumë të mirë që nuk po mund ta shprehin veten e tyre më së miri si shkak i mungesës së një salle adekuate”, thotë Sylejmani.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, në një prononcim për KultPlus, bën të ditur se janë duke u planifikuar disa hapësira të mirëfillta për Filarmoninë e Kosovës.
“Orkestra e Filharmonisë së Kosovë janë të mrekullueshëm, jam pothuajse në çdo koncert të tyre. Jemi duke punuar shumë që të krijojmë hapësira të mirëfillta për ta. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës jemi duke punuar për të transformuar hapësira që të krijojmë mundësi të performancës së Filharmonisë së Kosovës. Edhe Salla e Kuqe është e vjetërsuar, por edhe tani e kemi një projekt për të rigjeneruar këtë hapësirë, por përkundër kësaj orkestra ishte e mrekullueshme, sigurisht edhe pianistja Anila Aliu”, thotë Rama.
Ai shton gjithashtu se ndërtesa e Operës dhe Baletit do të duhen 2 ose 3 vjet që të jetë gati, ndërsa deri atëherë plani është që godina e Gërmisë të shndërrohet në Galeri dhe Sallë Koncertesh.
“Fillimisht është dalë konkursi ndërkombëtar, që do të aplikojnë për të dizajnuar objektin e Operas dhe Baletit, pasi kjo të përfundojë pastaj vazhdohet me dizajnimin e kësaj ndërtese, e më pas sigurisht edhe ndërtimi i saj. Mesiguri do të kalojnë 2 ose 3 vite që kjo ndërtesë të përfundojë. Mirëpo, përkundër kësaj po them se kemi paralelisht edhe iniciativa tjera, ku ndërtesa e Gërmisë do të transformohet në Galerinë e Qytetit si dhe një Sallë Koncertale, së bashku me Bashkimin Evropian. Proceset byrokratike sigurisht që janë me shpejtësi më të vogël sesa ne kemi dëshirë, por jemi duke punuar që t’i shtyjmë përpara sa më shpejt”, përfundon Rama.
Filharmonia e Kosovës aktivitetin e muajit nëntor do ta përmbyll me koncertin “Dua më shumë Shqipërinë” duke iu bashkuar Orkestrës dhe Korit të Teatrit Kombëtar të Operës në Tiranë më 26 nëntor në sheshin “Skënderbej” në koncerti i cili organizohet në shënim të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. /KultPlus.com