25 Dhjetor, 2020 - 1:21 pm
Me kapela dhe kostume mbrojtëse, për të treguar se katedralja ende po rindërtohet, pjesëtarët e korit të Notre Dame kënduan brenda monumentit mesjetar, për herë të parë që kur një zjarr gati e shkatërroi atë.
Koncerti në vigjilje të Krishtlindjeve është një traditë vjetore në Francë. Eventi, i zhvilluar pa audiencë, u regjistrua më herët gjatë muajit dhe u transmetua në televizion pak para mesnatës. Kori performoi pjesë klasike të Moxarti dhe Shuberit.
Struktura me arkitekturë gotike dhe një prej atraksioneve kryesore të Parisit u përfshi nga flakët në 15 prill të vitit 2019. Zjarri shkatërroi çatinë dhe kullën karakteristike me majë.
Presidenti Emanuel Macron u zotua të rindërtojë katedralen brenda 5 viteve. Por, deri më tani, shumica e punimeve janë fokusuar për ta bërë ndërtesën të sigurt, përfshirë pastrimin e mbetjeve toksike. / KultPlus.com