8 Dhjetor, 2022 - 6:00 pm
Në kuadër të aktiviteteve të Tiranës si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, Parlamenti i Nxënësve ka organizuar projektin “Rinia në sytë e mi”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga koncerti i organizuar nga Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë, në kuadër të projektit të tyre “Rinia në Sytë e Mi”.
Zbatimi i këtij projekti, ka në fokus përfshirjen e rinisë në aktivitete kulturore, si dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe forcimin e pjesëmarrjes aktive të tyre në vendimmarrje.
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë është një strukturë që punon në mënyrë të drejtpërdrejtë me të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe nëpërmjet këtij projekti synojnë të forcojnë pjesëmarrjen aktive të të rinjve në shkollat e mesme për të mbrojtur të drejtat e tyre, gjithëpërfshirjen dhe përgatitjen e tyre për të qenë sa më aktivë në komunitetin e tyre, familjarizimin e tyre me vendimmarrjen dhe krijimin e mundësive të reja.
Përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti janë të rinj të shkollave të mesme dhe të universiteteve në mbarë vendin. / KultPlus.com