Ripublikohet albumi i rrallë i Prince

6 Gusht, 2019 - 1:00 pm

Albumi i rrallë i Prince, “The Versace Experience” do të ketë publikim të plotë, tre vjet pas vdekjes së këngëtarit.

Projekti u publikua për herë të parë në kaseta të limituara dhe iu shpërnda njerëzve që morën pjesë në shfaqjen e Versace në Paris Fashion Week në korrik të vitit 1995. Në atë moment, albumi ishte menduar si një rishqyrtim i albumit atëherë të ri të Prince, “Gold”, dhe përfshiu remikse ekskluzive të “Eye Hate U”, “Gold” dhe “P Control”, si dhe muzikë të rrallë nga bendi i tij “The New Power Generation”.

Tani, adhuruesit do të mund ta blejnë kopjen e tyre, së bashku me dy albume të tjera që po ripublikohen – Emancipation dhe Chaos And Disorder, i cili ishte albumi i fundit i muzikës së re që Prince e publikoi si pjesë e kontratës së tij me Warner Bros në vitin 1996, shkruan KOHA Ditore.

Para vdekjes së tij, Prince kishte refuzuar ta ripublikonte albumin sepse ai shënoi fundin e marrëdhënies së tij kontestuese me kompaninë në fjalë.

Ndërkohë, albumi i trefishtë Emancipation u publikua në nëntor të vitit 1996, vetëm katër muaj pas Chaos And Disorder. Të dy albumet janë publikuar në vinyl për herë të parë.

Të tre albumet do të jenë në dispozicion të fansave nga 20 shtatori. / KultPlus.com

Të ngjajshme