Robert Bisha me koncert në Kino Bahçe

23 Korrik, 2020 - 12:44 pm

Lumbardhi mirëpret solo koncertin e pianistit, kompozitorit dhe multi-instrumentalistit nga Shqipëria, Robert Bisha të titulluar ‘Home Neverland’.

Të shtunën, me 25 korrik 2020 nga ora 19:30, koncerti vjen në Kino Bahçe për një publik të kufizar prej 50 vetësh, konform masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe drejtpërdrejtë për të gjithë shikuesit përmes Kohavision. Të interesuarit për t’a përcjellur koncertin drejtpërdrejtë në Kino Bahçe do të njoftohen përmes mediave sociale të Lumbardhit për mënyrën e rezervimit të biletave.

Gjithashtu, të dielën me 26 korrik 2020 në orën 19:00 në Kino Bahçe, Robert Bisha do të ketë bisedë lidhur me përvojat e tj, marrëdhënien e tij me instrumentin si dhe bashkëpunimet e tij muzikore.

Pianisti nga Shkodra i bazuar në Itali, me prirje drejt improvizimit dhe kërkimit dhe me përqëndrim në komponimet bashkëkohore, ka zhvilluar seminare për folklorin shqiptar, mesdhetar dhe Lindjen e Mesme si dhe seminare mbi teknikat e improvizimit. Ai ka bërë punë të gjërë në transkriptimet e folklorit Ballkanik, veçanërisht përdorimin e shkallëve pentatonike, intervalet e Shqipërisë së Jugut dhe ndikimin e epokës bizantine dhe osmane në këngët epike të veriut të Shqipërisë, muzikën rebetiko, çame dhe arvanitase.

Paralelisht me seminaret dhe studimet e tij, ai drejton punëtori të terapisë muzikore për fëmijë dhe të rritur. Ai komponon muzikë për dokumentarë, filma të metrazhit të gjatë dhe filma të shkurtër, duke përdorur gjuhën e muzikës popullore, xhazit dhe atë të muzikës bashkëkohore evropiane. Robert Bisha vazhdon karrierën koncertale me tri nga projektet e tij të kompozicioneve origjinale, projektin “Ritual Moods”; bashkëpunimin me korin popullor gjithëpërfshirës isofonik shqiptar si dhe grupin “Fanfara Tirana”. Ndër të tjera, ai ka interpretuar kompozimet e tij origjinale në Les Nuits de Fourviere në Lion me kantautorin special të Italisë Vinicio Capossela.

Për ta përshkruar ndjenjën që e reflekton muzika e tij, Robert Bisha shkruan: “Udhëtimet e vetmuara, dëgjimi i këngëve të shteteve dhe takimet miqësore kanë ndikuar që ta kem gjithnjë e më shumë ndjenjën se atdheu i secilit njeri është fryma e tij, këngët që ai sjell me vete. Çdo veri është gjithashtu një jug. Për t’u zhdukur dhe më pas për të rigjetur veten në kujtime të lashta dhe në takime përtej kohës.” / KultPlus.com

Të ngjajshme