14 Shkurt, 2020 - 9:05 am
Robert Radoja, i lindur më 15 prill të vitit 1938 në Bolonja të Italisë, fëmijërinë e kaloi në një fermë në rrethinat e Shkodrës, pronë e të atit. Babai i tij kishte shumë miq, ndër ta edhe personalitete të shquara të kulturës, që shkonin për takime miqësore në fshat, mes të cilëve edhe Preng Jakova, që në atë kohë kishte krijuar korin kishtar. Kur Preng Jakova sillte fizarmonikën me vete tek shtëpia e tyre, Roberti i vogël, do të elektrizohej nga prekja e tingujve të parë muzikorë. Dhe ishte kjo fizarmonikë prej nga nisën hapat e parë të një artisti të madh…
Jeta dhe vepra e kompozitorit Robert Radoja nuk është thjesht një histori muzike, por është edhe pjesë e rëndësishme e historisë kombëtare.
Këtë do ta kuptojmë më mirë gjatë një interviste të mjeshtrit Radoja, për Report Tv.
Mësuesi dhe zbuluesi i shumë talenteve muzikore, një pianist klasi, figurë emblematike e muzikës shqiptare, ka shumë për të rrëfyer nga odiseja e një jete të mbushur me tinguj, me përkushtim, me idealizëm, shpërblesa mirënjohjesh, por edhe me krenari kur sheh nxënësit e tij të pushtojnë skenat shqiptare dhe ato botërore.
Me një modesti të mahnitshme, në këtë intervistë le të ndjekim me vëmnedje jetën e një artisti të madh, duke filluar që nga puna në Pallatin e Pionierëve me nxënësit e tij, sot artistë të ëmdhenj apo pesonalitete të mëdha të kulturës, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Suzana Frashëri, Ardit Gjebrea, Suzana Turku, Zana Çcela, Irma Libohova, Elsa Lila, Armando Kllogjeri e shumë të tjerë.
Janë aq shumë prej tyre, saqë Robert Radoja lutet që t’ju përcjellim ndjesën e tij, që nuk mundet t’i rendisë të gjithë përgjatë kësaj interviste. Por ndërsa ndjekim rrëfimin e ngrohtë të mjeshtrit të muzikës Robert Radoja, ai do të tentojë ta thjeshtëzojë kontributin e tij në kompozimin e muzikës së dhjetëra filmave, duke ua lënë vendin e nderit kompozitorëve të tjerë të shquar.
I tillë është Robert Radoja, artisti që në 82-vjetorin e jetës së tij nuk heq dora nga puna. Paçka se nuk u pat shpërblyer kurrë sa duhet materialisht, ai na emocionon kur pohon se një jetë mes tingujve e ka bërë megjithatë të pasur e të lumtur.
Intervista
Profesor Radoja, ju mbani mbi supe vite të tëra të një përvoje muzikore në vendin tonë, që fillon që me shkollat e para të muzikës, me punën tuaj, kudo që keni qenë; në festivalet e këngës, në filma, në edukimin e fëmijëve, në akademi me lice. Pra keni qenë i kudogjendur për t’u dhënë profesionin e muzikës të rinjve brezave, por ajo q ë na bën kurioz është se ku e keni marrë ju edukimin e parë muzikor?
-Unë jam rritur në një vend pak larg Shkodrës, në një fshat që quhet Rrënxë. Babanë e kam pasur agronom. Ka pasur një fermë shumë të bukur, dhe tek ajo vinin shumë miq nga Shkodra. Gjithkush nga shokët e mi ma kujtojnë tash: Vinin kur ishim të vegjël dhe aty kishte vetëm muzikë. Ndoshta kjo ka qenë që u mora me muzikën; ajo njohja me personalitetet të kohës, siç ishte Prenk Jakova që të bënte me ëndërru. Kam pasur një mësuese shumë të dashur që kam filluar të mësojë pianon, Ida Melgushi, që ishte dhe mikeshë e familjes. Dhe kështu, madje fillova aktivitet në Shtëpinë e Pionierit në Shkodër, dhe aty u takova me njerëz që kishin vlera si Tish Daija, Tonin Arapi, Leonard Deda, Simon Gjoni, etj, etj, të cilët nëse shihnin se kishte të dhëna tek ty, me shumë dashamirësi të ndihmonin dhe unë e fillova si amator sigurisht se kështu ndoshta e fillojnë të gjithë. Mbas vitit ‘50 erdha në Tiranë. Mbas mbarimit të shkollës së mesme punova mësues për dy vjet, derisa u hap konservatori. Konservatori filloi në ‘62-shin dhe unë u diplomova në ‘66-n dhe menjëherë u emërova në Pallatin e Pionierëve. Pjesa më e madhe të jetës sime, ose më e bukura, më e mrekullueshmja mund ta them, ka qenë jeta më fëmijët, nga të cilët ka shumë emra, edhe emra të mëdhenj.
Le të ndalim pak këtu tek emrat. Cilat kanë qenë nga këto talente e para të mëdha, që filluan të mësojnë me ju aty në Shtëpinë e Pionierit?
-Kur kam qenë unë në Pallatin e Pionierit, në vitin 1966 e kam gjetur rrugën e shtruar mbi baza profesionale. Më parë aty kishte punuar Tonin Arapi, kompozitori ynë i dashur, dhe një kohë më të gjatë dirigjenti Ermir Dizdari. Kështu që unë vazhdova rrugën, dhe u takova me fëmijët e parë atje, shumë të talentuar: Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Alqi Boshnjaku, Dorian Ninin, më vonë Ardit Gjebrea, Inva Mula, Ermira Bodinaku, Ermonela Jaho….Janë shumë.
E kuptoj se nuk është e lehtë të sjellësh në kujtesë menjëherë këto personazhe në një moshë fëminore. Si kanë qenë ata për të cilët folët, si ishte karakteri i tyre? Çfarë kujtimesh ke me ta?
-Mua më kujtohet një rast, një mësuese muzike Meropi Gjebrea, e nëna e Ardit Gjebresë. Ajo vjen tek zyra ime dhe më thotë: Djali im ka bërë një këngë! -Po mirë,- i thashë, -ta shohim. E shoh unë. Ishte e thjeshtë por interesante. Arditi rrinte jashtë se kishte emocione të hynte brenda. Ajo këngë u përpunua, u orkestrua dhe kjo është kënga e parë që ka bërë Arditi “Fyelli i bariut”, këngë që e këndoi edhe vetë. Pastaj kam kujtime me Inva Mulën. Unë kisha pasur mësues muzike të atin, Avniun. Njihesha me familjen e tyre shumë mirë, dhe një ditë vjen e ëma, këngëtare e famshme, Nina Mula, me një vajzë përdore, edhe më thotë:
-Kjo është vajza ime, Inva. Robert a mund të ma provosh pak vajzën time, se me duket se ka zë.
Unë ngela i habitur se ajo ishte këngëtare e njohur, pedagoge në Akademinë e Arteve, por me thjeshtësinë e saj, si zonjë që ishte ma solli t’i bëjë provën. E provova dhe Inva që atë vit filloi me këndu e nuk pushoi asnjëherë edhe sot.
Është Ermonela Jaho që sot është një nga të preferuara e teatrove të gjithë botës. Ermonela ishte gjithmonë një fëmijë pak i tërhequr, e cila nuk pranonte kurrë të këndonte vetëm, por këndonte vetëm në grup.
E kishit vënë re ju zërin e veçantë të Ermonelës në atë kohë?
-Patjetër. Madje unë e nxisja me këndu, por ajo kishte shumë emocion që të dilte me këndu vetëm.
Janë edhe këto këngëtaret e festivaleve, që thatë ju: Liljana Kondakçi, Ema Qazimi. Si janë rritur ato si artiste duke ndjekur rrugën e e festivaleve të këngës në RTSH?
-Ato ndoqën atë rrugën e këngës, atë pëlqenin më shumë. Ema kishte atë potencialin e zërit të saj të veçantë, Liljana me atë zërin e bukur. Të gjitha edhe nuk më kujtohen, se janë shumë. Për shembull, po ju them një nga pedagoget që ka dhënë kontributin më të madh këtu, Suzana Frashëri, që është akoma pedagoge në Universitetin e Arteve, e cila ka kënduar që në moshë të vogël fare dhe pastaj gjithë jetën ia ka kushtuar këngës. Bëri shkollën, bëri specializime jashtë shtetit, dhe iu kushtua këngës në një drejtim tjetër, atë të kantos lirike. Një nga të tjerat është Suzana Turku, që kur ka qenë e vogël ka kënduar shumë bukur dhe u bë një dirigjente që ka dhënë një kontribut të mrekullueshëm. Një tjetër ka qenë Zana Çela, e cila ka qenë vërtetë një eksplittion në moshën e vete, me një zë emocional shumë të fuqishëm dhe pastaj ndoqi rrugën tjetër, bëri shkollën e mesme për Kanto me një zonjë shumë të nderuar Marije Krajën, dhe pastaj ndoqi rrugën e gazetarisë, nuk e ndoqi më tej kanton. Kështu Zanën e njohim sot si një organizatore shumë e zonja.
Ne kemi kaq shumë këngëtarë të muzikës lirike, që janë kaq të pëlqyer në botë; në skenat e Parisit, të Italisë, të Amerikës e kudo. Janë shumë emra; Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Inva Mula, Agim Hushi, Josif Gjipali, e shumë të tjerë. Cilët kanë qenë ata që iu kanë dhënë këtë edukim të nivelit shumë të lartë këtyre?
– Këngëtarët tanë fillimisht ishin të gjithë ata që shkuan të studiojnë në Itali, në Francë dhe në Austri, dhe që prej andej madje u kthyen dhe filluan të krijojnë shkollën tonë shqiptare. Dhe u bazuan në Bel Canto-n italiane, dhe ky është suksesi i shkollës sonë. Kanë qenë Tefta Tashko, Mihal Ciko, Marije Kraja, Jorgjie Truja, Dhimitra Keta, Yzini Berati që kanë dhënë kontribut. Shkolla jonë e kantos është vërtet një shkollë që ka dhënë kontribut për t’u lavdëruar dhe vazhdon të nxjerrë talente, si Armando Likaj, një bariton i shkëlqyer, Enkelejda Kamanin, një soprano e shkëlqyer, mezzosopranon Etleva Shemaj. Mund të përmend emra pa fund.
Të kthehemi sërish tek krijimtaria juaj. Të bësh një muzikë filmash është një punë po aq bukur dhe vështirë. Ne nuk kemi aq shumë autorë që kanë bërë muzikë filmash…
-Të paktën deri atëherë kur unë jam larguar nga Kinostudioja, ishin 226 filma. Të gjithë filmat donin muzikë. Ndër më të dalluarit kompozitor të muzikës së filmave është Kujtim Laro, që është i papërsëritshëm. Është Aleksandër Peçi e të tjerë. Mua më është propozuar nga vite ‘70 një film nga mjeshtri Gëzim Erebara për fëmijë me skenar të Flamur Topit, për kohën pak deklarative. Por film i bukur, dhe ajo ka qenë muzika e parë që kam shkruar për një film. Mbas dy vjetëve me Kristaq Dhamon ishte një film tjetër “Mëngjese lufte”. Pastaj erdhën me radhë filmat me vizatime, me Vlash Drobonikun, me Saimir Kumbaron. Kam bërë 8-9 filma. Diçka ka ngelur nga ata…
Puna me fëmijët, është një profesion që ju e vazhdoni edhe sot; të edukoni zëra e këngëtarë të rinj, pianistë të rinj. Më tregoni pak për brezin e ri, ose për të ardhmen e muzikës shqiptare?
-Të punosh me fëmijët, është gjëja me e bukur, kundrejt interesit dhe sinqeritetit që kanë për t’u realizuar. Sesa bëhen, është punë tjetër, jo të gjithë do të bëhen artistë. Por një pjesë të jetës, çdo fëmijë është e detyrueshme që ta ketë kulturën muzikore. Është një emocion që nuk plotëson asnjë lloj arti tjetër. Ne jemi një popull me moshë të re. Kemi kaq shumë fëmijë shumë të talentuar, për të cilët përgjegjësia ka rënë vetëm mbi prindërit.
Uunë në atë kohën time, çdo vit do të shkoja testoja në klasat e katërta, në të gjitha shkollat e Tiranës. Do t’i testoja një nga një, një test shumë i thjeshtë dhe sigurisht do të zgjidhja ose do të rekomandoja ata që më kishin bërë përshtypje më shumë, dhe kështu dolën edhe rezultatet.
Ka sot një institucion që të jetë si dikur Shtëpia e Pionierit?
-Ne tani kemi qenë qendrat e kulturës së fëmijëve. Madje Tirana e ka edhe kombëtare, por e ka atje tek fresku, tek Kinostudioja dhe nuk mund të shkojnë fëmijët që nga Tirana deri atje. Shkodra e ka që funksion mirë, Korça e ka që funksion mirë, ndërsa Elbasani, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, i kanë të gjitha si organika, si ekzistencë, por sesi drejtohen, nuk di ta shpjegojë, por duhet të kishte një lloj centralizmi kjo që të funksionin më mirë.
Pas kontributit që jepni ju si mësuese, apo prindërit, a kanë fëmijët skenë ku të prezantojnë talentin e tyre apo të sensibilizohen që të përballen në skenë me publikun?
-Bëhen disa gjëra. Tirana ka disa vjet që nuk e bën më festivalin se e bën radioja. Shkodra e bën rregullisht. Në qoftë se ka 58 festivale të këngës në RTSH, janë edhe 58 festivale kombëtare të këngës për fëmijë që zhvillohet në Shkodër. A duhet më shumë. Po, por kanë ndryshuar dhe interesat. Ka ndodhur një fenomen i çuditshëm. Në shkollat e muzikës ka qenë dy orë muzikë në javë. Tani e kanë parë që nuk qenka e nevojshme më, dhe e kanë lënë një orë mësimi javë. Çfarë informacioni mund t’i japi në shkollë fëmijëve në përgjithësi një orë muzike në javë?!… Nuk ka një program kulturor për fëmijë. Sepse ne nuk do të sakrifikojmë për brezin që rrisim, ta dini se ëndrrat tona kanë shkuar në kosh dhe ky brez do të bëjë atë që i del përpara.
Megjithatë, krah jush janë sot këta talentet që kanë pushtuar skenat botërore. Mund të na thoni diçka për kuriozitet si ta shprehin mirënjohjen kur i takoni herë pas here?
-Jam i ngopur me mirënjohje prej të gjithëve. Me të njëjtin sinqeritet që kam dhuruar, me të njëjtin sinqeritet më dhurojnë mirënjohje sot.
Dhe ju vet kujt i jeni mirënjohës?
-Sigurisht atyre mësuesve të mirë të parë. Asnjëri nga familja jonë nuk është marrë me muzikë. Kanë qenë sportistët apo në profesione të tjera …por nuk jam penduar.
Si ndodhi, kur e spikatën për herë të parë veshin tënd muzikor?
-Ju thashë, kur vinte Prenk Jakova, ai e linte fizarmonikën tek ne ndonjëherë. Dhe unë luaja me tingujt e saj ndonjëherë. Ata tinguj ngacmonin gjithçka tek unë.
Kush tha: “Eja ti djalë të provosh shkollën e muzikore”?
-Tonin Arapi, një njeri që vështirë të ketë të dytë. Një njeri që ka shkruar muzikë me shpirt, pastër.
Gjatë kohës që kam punuar si gazetare, kam shkuar në shumë shtëpi artistësh që kanë dhënë kontribute të mëdha. Tek ajo shtëpia e tyre bie në sy thjeshtësia, asnjëherë nuk ka një luks, një pasuri të madhe. Kaq vite përkushtim i të gjithë artistëve, jo vetëm për ju, por edhe kienastët, aktorët, muzikantët. A mendon s’e kanë nevojë për më shumë vlerësim, dhe nëse duhet bërë, si duhet bërë?
-Nëse matet vlerësimi me objekte, është një tjetër gjë. Por t’ju them një gjë. Ja ku i kam (tregon librat dhe fotografitë). Kjo është pasuria. Këta janë dy djemtë e mi. Aty është një foto, që është në Rusi, ku fati më ka çuar mua atje, tek vendi ku ka lindur Çajkovski, dhe meqenëse isha i pari shqiptar që kam shkuar atje, më lejuan të prekë edhe pianon e Çajkovskit. I kam marrë ato që kam dashur…
Ju falënderoj për këtë intervistë të thjeshtë e të sinqertë, me atë modestinë që ju karakterizon gjithmonë. Ne vërtetë duam të marrim pak më shumë të dhëna për punën tuaj, por ju tashmë e keni lënë gjurmën më përtej se puna juaj, tek ato talente që kanë pushtuar skenat shqiptare, tek ato talente që kanë pushtuar botën. Dhe për këtë profesor Radoja ju jemi mirënjohës, jo vetëm ne…!
-Tonin Arapi na thoshte gjithmonë: “-A mund t’ju bëjë një pyetje? -A është më mirë me bë hap, apo me lënë gjurmë?” Dhe ne si të rinj shpreheshim: -Me hap pra, me ec përpara! “-Jo na thoshte: nëse ke lënë gjurmë, hapin e ke bërë!” /KultPlus.com