Rock & Roll Hall of Fame 2020 do të transmetohet live

1 Tetor, 2019 - 7:00 pm

Kryesuesi i edicionit të ardhshëm të Rock & Roll Hall of Fame, John Sykes, ka thënë se ceremonia e pranimit në vitin 2020 do të transmetohet live në HBO, ndërkohë që ai po përpiqet ta krijojë versionin “2.0” të organizatës.

Ish drejtuesi i lartë i MTV dhe VH1, Sykes, u shpall udhëheqësi i ri i Rock Hall javën e kaluar. Ai do ta marrë përsipër përgjegjësinë nga bashkëthemeluesi Jann Wenner më 1 janar me qëllim të zgjerimit të arritjes së Rock Hall për një “frymë që lidhet me të rinjtë”.

“Dua të ekspozoj sa më shumë njerëz në të gjithë muzikën e jashtëzakonshme që na rrethon,” tha ai për LA Times në një intervistë të re. “Mantra ime për tërë karrierën time ka qenë, “Nëse doni të fitoni, ndiqni artistët”, sepse ata janë gjaku që rrjedh nëpër venat e gjithë biznesit tonë. Ne do t’i festojmë ata artistë, pavarësisht nëse fansat shkojnë në ndërtesën fizike në Cleveland apo shikojnë se çfarë po bëjmë në Instagram ose YouTube, ne duam të jemi kudo”.

Tutje ai shtoi: “Ne kemi anëtarë të rinj të bordit. Ceremonia e pranimit do të zhvillohet live vitin e ardhshëm, në vend që të regjistrohet. Gjithashtu po kërkojmë të bëjmë shumë më tepër në Californi, sepse është një gur themeli i biznesit të muzikës. Koha më e mirë për të rizbuluar është kur jeni në kulminacion. Rock and Roll Hall of Fame po vendos rekorde të reja të pjesëmarrjes, ngjarja e ka fituar titullin e një institucioni të vërtetë kulturor. Mendoj se tani është shansi ynë”.

Sykes argumentoi se aplikimi i votimit të fansave të Rock Hall në vitet e fundit, së bashku me ndryshimin e anëtarësimit të komitetit nominues, ishin një tregues që modernizimi është shumë i mundur. “Tom Morello nga Rage Against the Machine erdhi një herë dhe u ngrit dhe tha: ‘Heavy metal është një kategori e muzikës së njerëzve. Pse nuk janë bendet si Kiss dhe Rush në Rock and Roll Hall of Fame?’ Ai ishte shumë bindës. Ne duhet ta pasqyrojmë atë që adhuruesit vërtet e duan”.

Ai e pranoi se gjithmonë do të kishte polemikë rreth artistëve të kandiduar çdo vit, duke thënë: “Është një tension i shëndetshëm. E mban komitetin në rregull. Ka njerëz që argumentojnë për të dy palët edhe sot e kësaj dite. Është një debat i shëndetshëm – ndonjëherë e merrni atë që e doni dhe ndonjëherë nuk e merrni”.

Klasa e vitit 2019 e përfshinë Def Leppard, Stevie Nicks, Roxy Music, Zombies, Radiohead, Cure dhe Janet Jackson. /KultPlus.com

Të ngjajshme