26 Gusht, 2021 - 9:56 am
Roma nuk do të ketë mundësinë të presë festivalin europian të këngës Eurovision për vitin 2022.
Kompeticioni prestigjioz i këngës që u fitua nga grupi Maneskin vitin e kaluar do të mbahet në Itali, por jo në “qytetin e përjetshëm”, siç ishte parashikuar më herët. Motivi është se nuk ka ambientin e duhur për të pritur një ngjarje të tillë dhe për këtë arsye në listë janë 5 qytete të tjera si Milano, Bologna, Pesaro, Rimini dhe Torino, transmeton KultPlus.
Sipas disa burimeve për mediat italiane, autoritetet lokale në Romë kishin propozuar Pallatin e Sportit si vendin ku mund të organizohej Eurosong 2022, por teknikët e EBU që merren me organizimin e eventit e kanë refuzuar duke thënë se nuk përmbush disa nga kushtet e nevojshme.
Më pas, bashkia ka propozuar disa vende alternative mes të cilave dhe Cinecitta apo Panairin e ri të Romës, por asnjë prej tyre nuk është konsideruar e përshtatshme. / KultPlus.com