16 Prill, 2023 - 9:27 pm
Kompozitorja, këngëtarja dhe gazetarja e njohur Violeta Rexhepagiqi u largua nga kjo botë më 16 prill të vitit 2020.
Violeta Rexhepagiqi, si spikere e programeve për fëmijë në “Radio Prishtinë” filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ulët të muzikës. Si rrjedhë e angazhimit të saj pasojnë edhe mirënjohjet në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës”. Njëkohësisht, Violeta interpretoi më se 40 këngë për fëmijë, dhe luajti zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Violeta shquhej për avangardë që në vitet e ’80, si në muzikë e poashtu edhe në modë. Në vitin 1984 Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës “Vivienne”. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Ajo ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoi deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat serbe. Pas okupimit të RTP-së punoi si reportere lufte për agjensitë e huaja: “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj. Nga viti 2010, Violeta punoi për “RTK”, shkruajti tekste këngësh dhe bëri komponime për këngëtarë të ndryshëm.
Më 16 prill 2020, në orët e hershme Violeta Rexhepagiqi u gjet e vdekur në banesën e saj. Në pamundësi për të organizuar mbledhje komemorative dhe pjesëmarrje në varrim për shkak të gjendjes së karantinës nga virusi COVID 19, kryetari i qytetit të Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi publikun se në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën shqiptare, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do të lëshohen këngët e saj.
KultPlus ju sjell sot një ndër këngët më të mira të Violetës, “Romantika”, këngë kjo që nuk harrohet lehtë. / KultPlus.com