27 Dhjetor, 2022 - 12:30 pm
Më shumë se 40 vite kanë shkuar, por fryma JAZZ që i papërsëritshmi, Big Band i Mitrovicës solli për herë të parë në vendin tonë, jeton në kujtimet e pashlyeshme të ngulitura thellë në zemrat e dashamirëve të muzikës në mbarë Kosovën.
Si tribut për magjinë e netëve të paharruara kur Mitrovica ishte jo vetëm zëri por edhe tingulli i Kosovës së re që po lindte, tashmë do të mbahet koncerti premierë i kuruar dhe ideuar nga Rona Nishliu si homazh për traditën e vendlindjes, nën shoqërimin e orkestrit të saj të ri, New Big Band.
Rona Nishliu & New Big Band, me programin e aranzhuar nga profesionistët më të shquar nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, do t’i ngrohin zemrat tona me koncertin e fundit të këtij viti, duke kujtuar me mallëngjim traditën e pasur muzikore të qytetit tonë e duke festuar në frymën e shumë dekadave më parë.
Koncerti do të mbahet më 29 dhjetor 2022, me fillim në orën 20:00, në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë.
7Arte me këtë koncert, përmbyll edhe programin vjetor të “Green Fest-12”, i cili është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, si dhe DKRS-Komuna e Mitrovicës. / KultPlus.com