Rona Nishliu Quartet dhuron mbrëmje magjike në Berlin

4 Mars, 2025 - 5:22 pm

Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, mbrëmë Rona Nishliu Quartet magjepsi publikun me një performancë të jashtëzakonshme jazz, duke i dhënë një jehonë të veçantë shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin.

Në hapje të koncertit, Ambasadori dr. Faruk Ajeti theksoi rëndësinë e këtyre përvjetorëve historikë dhe duke vënë në pah marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Ai gjithashtu nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të diasporës sonë si një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimin e ambasadës për të promovuar kulturën dhe artistët kosovarë përmes diplomacisë kulturore.

Me një përzgjedhje të kujdesshme të repertorit, Rona Nishliu solli një përzierje magjepsëse të këngëve të vjetra shqipe, të interpretuara në stilin e saj unik, si dhe meloditë e reja nga projekti i saj më i fundit. Performanca e saj dhe virtuoziteti i bendit krijuan një përjetim artistik të paharrueshëm, duke i emocionuar të pranishmit dhe duke i lidhur ata edhe më shumë me trashëgiminë tonë të pasur muzikore.

Të pranishëm në këtë mbrëmje të veçantë ishin përfaqësues të korit diplomatik në Berlin, institucioneve gjermane dhe një numër i madh mysafirësh nga diaspora jonë, të cilët së bashku shijuan një natë të mbushur me art, emocion dhe krenari./ KultPlus.com

Të ngjajshme