Rosalia paralajmëron albumin e ri “Motomami”

3 Nëntor, 2021 - 10:00 pm

Ylli latin i muzikës, Rosalia, e ka paralajmëruar albumin e ri muzikor i cili vjen pas projektit të vitit 2018 ,“El Mal Querer”, të shpërblyer me çmimin “Latin Grammy”.

Këngëtarja e famshme spanjolle i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta paralajmëruar këtë album të shumëpritur nga fansat e muzikës së saj, që e mban titullin “Motomami” dhe do të publikohet në vitin 2022.

Rosalía nuk ka dhënë hollësi tjerë rreth incizimit të radhës dhe po qëndron e heshtur rreth përmbajtjes së tij.

Që nga lansimi i albumit të kaluar “El Mal Querer”, ajo ka lansuar këngë në bashkëpunim me artistë të njohur të tillë si, Billie Eilish, Travis Scott, Bad Bunny dhe The Weeknd.

“Rosalía është tipi i artistes që është shumë e matur me atë që nxjerr në treg. Ajo është një tekstshkruese dhe producente muzikore, ndaj i kushton vëmendje çdo detaji të projekteve të saj. Ajo nuk është person që e shkruan një këngë brenda një dite, sepse dëshiron t’iu ofroj fansave të saj më të mirën e mundshme” ka deklaruar menaxherja e këngëtares, Rebeca León, gjatë një paneli në ngjarjen “Billboard’s Latin Music Week”.

Albumi i kaluar, “El Mal Querer” u pozicionua në vendin e parë të toplistës së albumeve më të mira të muzikës latine dhe pop në “Billboard”, dhe i fitoi gjithsej pesë shpërblime “Latin Grammy” përfshirë këtu edhe kategoritë, “Albumi i vitit” dhe “Best Contemporary Pop Vocal Album”.

Këngën e fundit “Linda”, Rosalia e lansoi në muajin shtator në bashkëpunim me këngëtaren Tokischa. Videoprojekti i numëron më shumë se 43 milionë klikime në platformën muzikore YouTube. / KultPlus.com

Të ngjajshme