‘Rreth muzikës të përbashkuara, me një dëshirë e një qëllim’

29 Janar, 2019 - 7:02 pm

Dua Lipa dhe Rita Ora janë dy këngëtaret shqiptare nga Kosova që po prekin top-listat botërore të muzikës, e po lënë nam në eventet prestigjioze të muzikës e modës.

https://www.youtube.com/watch?v=hqX0B7lElLQ

Ato nuk janë të vetmet këngëtare shqiptare që të paktën një herë kanë bërë simbolin e shqiponjës në botë, Bebe Rexha e cila është rritur në New York dhe vjen nga Dibra, po ashtu ka performuar në skenat më të mëdha botërore, shpesh duke u paraqitur edhe përkrah dy këngëtareve të tjera shqiptare, Dua Lipës dhe Rita Orës. Rita Ora ishte e para këngëtare shqiptare që depërtoi në botë, por Dua Lipa eci me hapa edhe më të përshpejtuar përmes hitit të saj “New Rules”, që në vititn 2017 e nxorri si këngëtaren më të dëgjuar në platformën e madhe muzikor “Spotify”, shkruan KultPlus.

Edhe pse Bebe Rexha është paraqitur herë me Dua Lipën e herë me Rita Orën më të cilën ka realizuar edhe këngën “Girls”, Dua Lipa dhe Rita Ora edhe pse jetojnë të dyja në të njëjtin vend dhe vijnë të dyja nga i njëjti vend, ato kurrë nuk janë paraqitur së bashku dhe rrallë kanë zgjedhur të komentojnë njëra-tjetrën. Gjatë vizitave të tyre në Kosovë, ato të dyja janë shprehur se ndihen të lumtura për suksesin e njëra-tjetrës, megjithatë shpesh janë përfolur për raporte jo shumë të mira, si rrjedhojë e mospërkrahjes se Rita Orës në fillimet e Lipës.

Amanda Koçi, e njohur me emrin artistik Ava Max është ende në fillet e saj, mirëpo që po ecën bindshëm drejt hapave të shqiptareve të tjera të suksesshme. Ajo ka prekur top-listat muzikore të Britanisë me këngën e saj “Sweet But Psycho”.

Është këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha ajo që ka refuzuar “luftën” e fansave për ta rreshtuar atë përkrah Dua Lipës apo Rita Orës. Së fundmi, ajo ka bërë një hap edhe më të madh për t’i sjell ato më pranë.

Përmes një postimi në Twitter, ajo ka kërkuar nga Rita Ora, Dua Lipa dhe Ava Max që t’i bashkohen thirrjes së saj për të bashkuar zërat e tyre në një bashkëpunim të vetëm. Këngëtaret Ava Max dhe Dua Lipa i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrje, madje Dua i është përgjigjur në gjuhën shqipe “Hajde shqipe”.

Pas kësaj thirrje, e këtyre konfirmimeve, pritet të shihet nëse ky vit do t’i gjej yjet shqiptare në një këngë të vetme./ KultPlus.com

Të ngjajshme