24 Qershor, 2018 - 7:30 pm
Tre vite më parë askush nuk e njihte Bebe Rexhën. Kur ajo pyeste kalimtarët në rrugët e Los Angelesit nëse njihnin një artiste me emrin Bebe Rexha, të gjitha përgjigjet ishin “jo”. Sot, pas dhjetëra peripecive, ajo ia doli të ketë një album krejtësisht të vetin.
“Expectations”, sapo është hedhur në treg dhe përmbledh 10 vitet e mundimshme të 28-vjeçares në kërkim të suksesit në muzikë dhe “Jo vetëm modë” sjell ekskluzivisht xhirime nga premiera e albumit. Menjëherë pas koncertit, editori i “Albaniac”, Elbino, rrëfen atmosferën dhe detaje të performancës live të kantautores së talentuar.
Unë e kam parë Beben në të njëjtën skenë para disa vitesh kur ajo filloi turneun e parë si këngëtare dhe mund të shikosh ndryshimet pozitive të saj. Është më e lirshme dhe më profesionale, ajo tashmë është një pop star. Faktori më i rëndësishëm në karrierën e saj është të qenit kompozitore, duke qenë e tillë ajo di se çfarë kërkohet në treg dhe çfarë t’i shtojë apo t’i heqë një kënge”, tha Elbino.
Evoluimi i Bebe Rexhës ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë të mbushur me zhgënjime, por sot ajo konsiderohet si vajza që nuk u dorëzua kurrë.
Pikërisht këto refuzime e frymëzuan që ajo të krijonte këngën që do t’i ndryshonte jetën. Superhiti “Monster” i Eminem me Rihannën është në fakt një rrëfim personal i Bebe Rexhës. Ndonëse Eminem zgjodhi Rihannën, zërat origjinalë të Bebe Rexhës shoqëronë Ririn gjatë gjithë refrenit. Po në atë periudhë Bebe realizoi këngët e para solo. Me stilin rrok dhe flokët e errëta, Bebe u duk se do të ndiqte gjurmët e idhujve të saj të muzikës pop. Por asnjë prej këngëve nuk bëri që Bebe ta shikonte emrin në “top 10-shen” e ëndërruar.
Në 2015-ën, bashkëpunimi me G-Eazy i dha më në fund Bebes shtysën e shumëpritur të famës botërore. Me “Me Myself and I” ajo pushtoi televizionet, radiot, internetin dhe theu klasifikimet duke fituar statusin e artë dhe platin, si kënga më e shitur në 10 shtete të botës. Që atëherë platin u bënë edhe flokët e saj./tvklan.al