Rudi për Gërvallën: Nuk mund ta pranoj as sot se ai kurrë nuk e pa Shqipërinë e vet

1 Tetor, 2021 - 6:57 pm

Në 76 vjetorin e lindjes së Jus Gërvallës, KultPlus ju sjell artikullin e Rafet Rudit, mikut të vjetër të Gërvallës, të shkruar në janar të vitit 1992.

Rafet Rudi: Kujtime për J.G.

– me rastin e 10 vjetorit të vrasjes

Në maj të vitit të kaluar isha mysafir i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në festivalin “Koncertet e Majit”. Atyre ditëve, si pasojë e zgjedhjeve të marsit, ndihej një tendosje e madhe. Qendra e qytetit të Tiranës ushtonte nga demontrantët. Minatorët e Valijasit kishin filluar grevën e urisë. Obektet afër pallatit të kulturës digjeshin dhe ekzistonte rreziku që edhe Biblioteka kombëtare të digjej ose të demolohej nga demonstruesit që askush s’i kuptonte. Festivali “Koncertet e majit”, natyrisht, nuk u mbajtën.

Ato dhjetë ditët në Shqipërinë e trazuar për mua, megjithatë, kalonin në një shenjë tjetër. Pas njëmbëdhjetëvjetësh do ta takoja Suzanën, Premtonin, Donikën dhe Ergonin e Jusufit. Para se t’i takoja shtëpia e tyre, në mendjen time, ishte shëndruar në një Kështjellë mistike. Por shumë shpejt, që nga çasti që hyra në të, çdo gjë erdhi në vendin e vet. Sërish ndjeva atë emocion që kisha gjithmonë në shtëpinë e Jusufit –ngrohtësinë.

Ajo që më mbeti në kujtim, kur për herë të fundit nga shtëpia e tyre në Tiranë ishte se ajo familje ishte e përvluar nga malli pë Kosovën! Ndër pyetjet të cilat i bëra Suzanës ishte ajo se, a kishte arritur Jusufi ta vizitonte Shqipërinë.

(Dymbëdhjetë vjet më parë, para se të nisesha në Shqipëri, e vizitova Jusufin. E dija se, përkundër kërkesës që e kishte bërë për një udhëtim të ngjashëm, ai nuk kishte arritur ta sheh Shqipërinë. Kërkesa e tij ishte refuzuar, me një sqarim mjaft brutal dhe kërcnues krejtësisht hapur, që ne e kuptuam nga udhëheqësi i Grupit të RTPsë, i cili ishte i ngarkuar për sigurimin e dokumentave të udhëtimit në Polici). E pyeta se çka ka nevojë t’i sjellja nga andej. Ai, ashtu siq ishte modest, m’u përgjegj shkurt: “mjafton ta shohësh për mua Shqipërinë”. Pas kthimit me ditë të tëra i tregoja për të gjitha. I përshkruaja atë që kisha parë (më saktësisht, atë që na lejonin ta shohim), e ajo ishte tamam që ne dëshironim. Ai kënaqej si fëmija.)

Më mbyti fakti kur mësova nga Suzana se ai, edhe pas braktisjes së Kosovës, nuk kishte arritur atë ta sheh vet…Nuk mund ta kuptoj dhe ta pranoj as sot se ai kurr nuk e pa Shqipërinë e vet! A është e mundur që ai vend amë i shqiptarëve të ketë drojë nga ai… Nëse për asgjë tjetër, atëherë, së paku për këtë, deri në fund të jetës do ta urrej atë regjim fatkeq komunist të Shqipërisë.

Që nga vdekja e tij, kur fillon, në njëfarë mënyre, të krijohet miti për të, nga personaliteti i Jusufit ka gjasa të zhduket një karakteristikë që atë e posaqërisht e veçon – subtiliteti i natyrës së tij, pikëpamjet e tij ndaj artit, afiniteti i tij ndaj artit modern, qetësia, durimi dhe përqëndrimi që të dëgjoj bashkëbiseduesin deri në fund, e ndriçojnë një anë tjetër të karakterit të tij. Ishte i prirur që me gjëra të thjeshta të krijonte atmosferë të ngrohtë. Andaj, bisedat me Jusufin s’kishin fund.

Bisedat tona që i merrnim me pasion dhe entuziazëm të madh, zakonisht u shëndronin në debate të gjata për çështje të ndryshme, u muar vesh, gjithmonë me një rrëshqitje të pahetueshme në çështjet kombëtare. Si njeri delikat çfarë ishte, me botë të pasur të mbrendshme imagjinative, në çdo bisedë për Kafkën, Xhojsin, Kadarenë, Bahun apo Stravinskin, ai depërtonte në shtresime të thella dhe të ndieshme dhe posaqërisht të nuancuara. Ndoshta nuk hidhorehen kolegët e mi muziktarë kur do të them se bisedat më esenciale dhe të thelluara në fushën e estetikës dhe filozofisë muzikore i kam pasur pikërisht me të. Jo pse ai ishte shumë i thelluar dhe njohës i madh në ato fusha, por për shkak se ai kishte një inteligjencë të natyrshme dhe intuicion të çuditshëm, që të heton thelbin e problemit në mënyrë të paspjegueshme.

Dhe tash, në këtë kohë kur ekziston akoma entuziazëm kolektiv për të, kur ai paraqitet si hero, trim (që pamëdyshje ishte), të cilit vetëm sa nuk i ngjitet kali dhe shpata, kur krejt ajo që lidhet me të merr ngjyra epike, aq më madhështore më duket ana tjetër e Jusufit, ajo pjesë që projektohej nga shpirti i tij, aq intim dhe aq subtil, shpirti i tij i një fëmije delikat. Ky dimensioni i Jusufit, për të cilin po flas më së miri vërehej në afërsin e tij me muzikën. Kur e dëgjonim muzikën që unë ia propozoja, apo kur e dëgjonim, Ehatin në kitarë, atë e mbërthente një heshtje sakrale, një qetësi e paspjegueshme.

Gjatë këtyre dhjetë ditëve të qëndrimit në Tiranë, nikoqirët na organizonin takime të ndryshme. Një prej ditëve ishte paraparë që të dëgjojmë një koncert të studentëve të Akademisë së Muzikës. Në mesin e studentëve më të mirë ishte flautistja e re, Donika Gërvalla… Ç’mund të dëshiroja më shumë në jetë sikur në vend timin ta dëgjonte Jusufi – Donikën e vet.

(Kujtim për Jusufin, 10 vjetorin e vrasjes së Jusufit organizuar në Pallatin e Shtypit)
Prishtinë 14.01.1992.
/ KultPlus.com

Të ngjajshme