‘Sa kemi mall s’ka deti valë Arbëri, nga larg mendojmë për ty moj e bukur Shqipëri’

12 Gusht, 2019 - 6:00 pm

Vaçe Zela, artistja e popullit dhe këngëtare me famë të madhe gjatë periudhës së diktaturës komuniste, u zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Kishte një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku. Ajo mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ajo u nderua me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu.

Ajo ishte dhe do mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë.


Siç ka thënë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte talent edhe në pikturë e teatër. Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin qejflinj të muzikës. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur.

Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar. Të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, megjithëse prindërve të saj nuk u pëlqente shumë ideja që vajza e tyre të merrte një udhë të tillë. Megjithëse asnjëherë nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen nga pasioni i saj.

Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën që e mbante mbërthyer fort. I ngjiti shkallët e asaj shkolle me shumë ndrojtje, ndërsa në duar shtrëngonte një valixhe të vogël mbushur me plaçka. Por nuk qe e thënë. Nuk ia dhanë të drejtën për ta filluar atë shkollë. Më pas do t’i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin në dyert e ndonjë gjimnazi.

Ndërsa nisi studimet në shkollën “Qemal Stafa” nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës së saj. Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike.

Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë, në vitet e zymta të diktaturës. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm errësirë, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës. Ajo kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë. Qenë këto vite kur njerëzit mezi siguronin bukën dhe rrobën e varfër të trupit, ndërsa, sipas rrëfimit të mikes së saj, “këngëtaren italianët e kërkonin ta blinin me shifra marramendëse, ndërkohë që shteti e dënonte me “lirinë” e të kënduarit vetëm brenda kufijve shtetërorë.

Vaçja u nda nga jeta në moshën 74–vjeçare pas një sëmundje të gjatë në Basel të Zvicrës. Me dëshirën e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe Zela prehet në atdhe ku vazhdon të jetë shumëe dashur. Artisti Arben Bajo, së fundmi punoi një skulpturë të saj.

KultPlus sjellë për ju njërën nga perlat e këngëtares, ku shquhet zëri dhe interpretimi mbresëlënës. /KultPlus.com

Të ngjajshme