10 Tetor, 2023 - 2:05 pm
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka ndërmarrë një nismë, për të emëruar hapësirat e teatrit me emrat e artistëve të mëdhenj, duke prezantuar kështu para çdo shqiptari dhe të huaji, personalitetet dhe vlerat tona artistike, si dhe ndjenjën e krenarisë e të kujdesit ndaj trashëgimisë kulturore të vendit.
Nisma filloi me përurimin e sallës së provave të Orkestrës Simfonike me emrin e dirigjentin të shquar të muzikës shqiptare, Rifat Teqja, në 10-vjetorin e vdekjes së tij, mes miqsh, kolegë artistë, ish-orkestrantë, koristë, muzikantë e familjarë të të ndjerit, Rifat Teqes.
Veprimtaria e dirigjentit është e lidhur ngushtë me jetën artistike të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku ka dirigjuar për afro 35 vjet. Nën drejtimin e tij janë realizuar interpretimet e veprave operistike shqiptare dhe të huaja, balete, fondi bazë i muzikës simfonike e orkestrale shqiptare dhe dhjetëra vepra të repertorit të huaj simfonik e koncertal me Orkestrën e TKOB-së, RTSH-së dhe Akademisë së Arteve.
Së bashku me Mustafa Kranten themeluan dhe klasën e dirigjimit në Konservatorin Shtetëror, ku ka dhënë një kontribut të vyer në fushën e pedagogjisë. / atsh / KultPlus.com