22 Shtator, 2024 - 11:05 pm
Vjollca Duraku
Mbrëmja e katërt e edicionit të 19-të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM Festival, është mbajtur të shtunën mbrëma me pianisten profesioniste japoneze Satoko Inoue, në Atelienë e Pallatit të Rinisë.
Vepra të kompozitorëve të shquar shqiptarë e botërorë ishin pjesë e programit interpretues të pianistes Inoue. Me një natyrë shumë të thjeshtë në aspektin fizik, pianistja e filloi koncertin me një interpretim të ndjerë me veprën “Metamophosis 2” të Philp Glass, duke dhuruar tinguj njëtrajtshëm të qetë, harmonia e së cilëve ndryshonte përmes një tingulli të shpejtë i cili sikur i jepte kuptim tingujve që përthitheshin qetësisht nga publiku në sallë.
Përveç tingujve të jashtëzakonshëm që emetoheshin nga solistja, pjesëmarrësit këtë radhë dëgjuan edhe zhurmë më të madhe seç ndodh zakonisht nga hapja e dyerve të tjera në objektin e Pallatit të Rinisë. Zhurma e një topi që rrokullisej në dysheme, zëra të njerëzve, dhe makinerive të ndryshme jehuan në sallë së bashku me notat e kompozitorëve të shquar. Ndërsa, një mjaullimë maceje, teksa po dhuroheshin tinguj mrekullisht të qetë mori vëmendjen e publikut, dhe shtoi buzëqeshjen në fytyrat e tyre, si një “zhurmë” e pranueshme nga ana e tyre.
Megjithatë, me koncentrim maksimal, pianistja Inoue vazhdoi performancën e saj për rreth 90 minuta me veprat e kompozitorëve shqiptarë Liburn Jupolli- Maya dhe Fati Fehmiju- Obscura Lacrimae (Acoustic version- premiere), dhe kompozitorëve botërorë: Akemi Naito- Rain, Calling Autumn, Jo Kondo- A Straw Hat Dance, Hirokazu Hiraishi- A Rainboë in the Mirror, dhe Linda Catlin Smith- White Lace.
“Maya”, me tinguj mjaftë të veçantë, është një nga veprat e para të kompozitorit Fidan Jupolli me qasje më të fokusuar “minimaliste” me elemente folklorike shqiptare dhe ndjenja modale /xhaz.
“Shumë nga veprat e mija vijnë edhe si një lloj momenti kulmor dhe transformues në gjuhën time muzikore, veçanërisht për pianon nga rreth40 vepra të tjera për pianon që kisha shkruar në shkollën e mesme. Shumë nga këto vepra, përfshirë edhe “Maya”-n, mbajnë “erërat”, “shpirtin” dhe ambientin e ndërveprimit tim me pianot e ndryshme, ndërtesat e vjetra të shkollës dhe atmosferën e përgjithshme”, citohet të ketë thënë kompozitori Jupolli, duke theksuar se vepra “Maya” shquhet si një vepër më diatonike dhe si një risi me në shprehjen e tij muzikore”, citohet të ketë thënë kompozitori Jupolli.
Ndërsa, vepra e cila përmes notave muzikore paraqiste “Lotët e errësirës” nga kompozitori shqiptar, Fati Fehiju, i cili jeton dhe vepron në Japoni, është kompozim nga puna kërkuese e doktoraturës së tij, me temë Polistilizimi.
“Polistilizim- stil arti postmodern, i cili në muzikë paraqet një teknikë me dy ose më shumë teknika kompozicionale ose stile muzikore në një vepër të vetme. “Obscura Lacrimae” nga latinishtja do të thotë lot të errësirës. Puna kombinon disa stile muzikore dhe teknika kompozcionale të lidhura lirshëm, duke përfshirë minimalizmin, muzikën popullore dhe muzikën klasike, dhe kontraston muzikën atonale dhe tonale gjatë gjithë veprës”, citohet të ketë thënë kompozitori Fehmiju, i cili posedon titullin PhD në Departamentin e Kompozimit të Muzikës Kompjuterike- Sonologji, në kolegjin e muzikës Kuntachi, në Japoni.
Kurse vetë interpretuesja, Satoko Inoue, e cila është profesoreshë e kompozitorit Fati Fehmiju në një prononcim pas koncertit tha ndihej shumë e lumtur me që mori pjesë në këtë performancë në Prishtinë.
“Fati është studenti im në Japoni ai ishte student në nivelin e doktoraturës. Ai është nga Turqia që ka ardhur në Japoni, por unë kam dëgjuar që ai është lindur në Kosovë. I kam thënë se nëse dëshiron mund të vij me mua. Sot kam luajtur veprën të cilën Fati e ka kompozuar për mua. Për veprën tjetër shqiptare në program, Dardani më ka dërguar akordet dhe e konstruktova programin e sotëm. Pjesët japoneze pianistike janë kombinuar me veprat tjera në program”, ka thënë pianistja duke potencuar se koncerti në përgjithësi ishte një përvojë e mrekullueshme.
“Ishte audiencë e mirë, jam shumë e lumtur. Stafi I festivalit DAM ishin shumë ndihmues. U ndjeva si në shtëpi, pata mundësinë edhe të praktikoj këtu para koncertit. Kështu që ishte mrekullueshëm”, ka përfunduar pianistja Inoue. / KultPlus.com