7 Mars, 2022 - 6:45 pm
“MetroSound Festival” rikthehet me titullin “Jehonë Arbëreshe” që do të zhvillohet në Teatrin Metropol në datat: 10, 11, 12 dhe 17, 18, 19 mars, përcjell KultPlus.
Festivali “MetroSound” vjen nën drejtimin artistik të pianistit, multiinstrumentistit dhe kompozitorit, Robert Bisha.
Në datën 10 mars do të zhvillohet një takim shumë unik me Nicola Scaldaferrin.
Gjatë datave të tjera do të zhvillohen koncerte të ndryshme. Ato vijnë në dimensione të ndryshme, jo vetëm të botës së muzikës, por shkojnë edhe në mënyrë organike, përtej idesë së përcaktimit të një zhanri.
Edicioni i katërt bazohet në kulturën arbëreshe, si një homazh për historinë e saj muzikore.
Ky edicion unik do të sjellë edhe muzikantë fantastikë si treshja: Samaïa, kitaristi elektrik Paolo Angeli, kompozitori pianisti Robert Bisha dhe Kolektivi (partitura për arbëreshët): Agona Shporta – zë, Anastasia Skënderaj – zë, Stefano Dalla Porta në bass dhe Simone Sferruzza në daulle.
“A bën muzika diçka të veçantë për ne që asgjë tjetër nuk mundet?”, është kjo pyetja që do e shoqërojë këtë rrugëtim muzikor të festivalit. / KultPlus.com