Së shpejti nisë “Peja Jazz”, Sanaja: Ky festival është çlirim nga shabllonet e vjetra

1 Dhjetor, 2020 - 7:37 pm

Suada Qorraj

Fillim dhjetori, krahas dimrit qytetit të bukur të Pejës do ti sjellë edhe net të paharrueshme me koncertet e muzikës Jazz. ‘Peja Jazz’ për katër net me radhë do të sjellë muzikën si sinonim të shprehjes së lirë por edhe si çlirim të shablloneve që deri dikur dukeshin të pathyeshme, shkruan KultPlus.

Kjo nismë e re ka filluar si organizim në kuadër të projektit të Anibar, komunitet ky që fuqizohet përmes artit dhe kulturës. Koncerti është menduar të zhvillohet përgjatë datave 7, 8, 9 dhe 10 dhjetor në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Anibar Vullnet Sanaja,  në një intervistë për KultPlus ka thënë se ideja për një organizim të tillë daton qysh në fillet e punës së Anibar-it, mirëpo sipas tij arsyeja se pse pikërisht ky event do mbahet në këtë kohë, është edhe fakti që tashmë në vend ka filluar pjekja e kushteve për realizimin e ideve të tilla.

“Ne kemi parë këto vitet e fundit që ka pasur interesim të rritur për këtë zhanër në qytetin e Pejës, prandaj, edhe kemi menduar që këtë vit marr parasysh edhe nevojën për aktivitete kulturore ta fillojmë këtë organizim. Nuk është se ka pasur ndonjë arsye specifike pse kemi menduar ta organizojmë, më duket më shumë është se janë pjekë kushtet për të realizuar këtë event, ideja e të cilit është ekzistente qysh në fillimet e punës tonë në Anibar”, pohoi ai.

Pikërisht në pandemi, kohën kur kultura ka pësuar goditjen e saj më të madhe organizatorët e kësaj serie të koncerteve të muzikës Jazz kanë dashur të sfidojnë vetën dhe të zvogëlojnë distancën e krijuar mes nesh. 

“Në kohën kur pandemia Covid-19 ka godit skenën e kulturës, gjithandej globit, organizatorët kanë dashtë ta sfidojnë veten që mu në këtë kohë ta krijojnë një ngjarje të re kulturore që ka për qëllim zvogëlimin e distancës mes nesh, gjithmonë duke respektuar masat në fuqi për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19”, shtoi Sanaja.

Tutje drejtori i kësaj ngjarje,  e njëkohësisht edhe themeluesi i festivalit i filmit të animuar Anibar tha se themelimi i ‘Peja Jazz’ është një çlirim nga shabllonet e vjetra që synon të sjell shpresë dhe afrim mes njerëzve në kohën kur distanca e kërkuar sociale mund të thelloj edhe më tepër ndarjet.

“Me themelimin e “Peja Jazz” në një kohë kur e ardhmja është e turbullt dhe kur po testohen themelet e shoqërisë bashkëkohore, “Peja Jazz” vjen si “çlirim” nga shabllonet e formave të organizimit të ngjarjeve muzikore me dëshirën që të sjellë shpresë dhe afrim mes njerëzve, në kohë kur distanca sociale, kaq e kërkuar mund t’i thellojë ndarjet edhe më shumë”, tregoi ai.

Emrat e pjesëmarrjeve do të behën të ditur me kohë. Kurse deri më sot janë bërë të ditur emrat e i kitaristit Armend Xhafer i cili do të performoj së bashku me miqtë e tij, kontrabasistin Kiril Tufekcievski dhe bateristin Viktor Filipovski, si dhe duos Muhaxheri dhe Kuçi, fokusi i të cilëve është interpretimi i veprave dhe përshtatja në mënyrë sa më origjinale të veprave të muzikës Jazz.

Edicioni i parë i ‘Peja Jazz’ po organizohet në kuadër të projektit “Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës” i “Anibarit” që mbështetet nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, “Goethe-Institut”./ KultPlus.com

Të ngjajshme