27 Shtator, 2018 - 11:30 pm
Shqipëria është nikoqire e festivalit “Balkanika Folk”. Në festival ishte e paraparë të marrin pjesë 11 ansamble nga i gjithë Ballkani dhe dy të tjera, të Arbëreshëve e Italisë dhe atij të Polonisë.
Mirëpo, mysafirët nuk u mblodhën në numër sa ishin ftuar. Kjo sepse Serbia kishte mohuar pjesëmarrjen në një organizim në të cilin ngrihet edhe flamuri i Kosovës, njofton Klan Kosova.
Madje, Ambasada e Serbisë në Tiranë kishte kërkuar nga organizatori të mos e lejojnë ngritjen e flamurit kosovar, nëse duan që ansambli nga Serbia të marrë pjesë në festival.
E organizatori i këtij festivali, producenti Sokol Gunga, po e konsideron këtë kërkesë absurde dhe në kundërshtim me parimet e artit.
Edhe pse Serbia i largoi artistët e vetë nga gara, Gunga kishte kërkuar që ata të qëndrojnë së paku për ta ndjekur festivalin nga afër.
“Artistët serbë ishin të mrekullueshëm, artistë të vërtetë, kërcimtarë të jashtëzakonshëm dhe pse jo nëse do të ishin në garë, mund të ishin edhe pretendent edhe për çmimin e madh qe e fitoi Bullgaria”, ka shkruar producenti në reagim.
Ai ka shtuar se politika nuk duhet të fusë hundët në art sepse arti nuk njeh kufij./KultPlus.com