7 Prill, 2025 - 12:08 pm
Era Berisha
Një mbrëmje e jashtëzakonshme ka marr jetë të shtunën mbrëma brenda hapësirës së Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Bëhet fjalë për koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës që erdhi mrekullueshëm nën drejtimin e dirigjentit amerikan Gregory Charette. Audienca është zhytur tërësisht në një mbrëmje të paharrueshme kushtuar muzikës ikonike të Philip Glass. Kjo natë e veçantë i ka çuar të pranishmit në një udhëtim magjepsës përmes kompozimeve novatore të Glass. Nuk ka munguar as magjia e inspirimit nga albumi legjendar i David Bowie i vitit 1977. Kjo përvojë ka rezonuar thellë brenda gjithsecilit, shkruan KultPlus.
Koncerti filloi fiks në orën 19:34, por paraprakisht ishin të pranishmit që kishin mbushur sallën qosh më qosh, dhe jo vetëm. Kati i dytë sipër po ashtu u bë pjesë e pandashme e këtij koncerti që ka zgjuar interesim të lartë tek ata. Dashuria për muzikën klasike dallohej në linjat e fytyrave të tyre, teksa kokat e tyre ishin të kthyera përherë drejtë skenës. Perdet në ngjyrë të zezë dhe reflektorët në ngjyrë vjollcë i dhanë një hijeshi të bukur prapaskenës. Më pastaj, ishin duartrokitjet e shumta që e mirëpritën dirigjentin Gregory Charette, i cili i kërkoi audiencës për heshtje absolute, ngaqë siç tha edhe ai vetë: “Ju do e dini saktë se kur do të mbaroj vepra”.
Vepra e parë që u prezantua ishte “Koncert për Violinë Nr. 2 – “Katër stinët amerikane”, me violinistin e shkëlqyer Maximilian Haft. Është një vepër goditëse që ofron një ripërfytyrim bashkëkohor të formës tradicionale të koncertit të violinës. E shfaqur në vitin 2009, ajo merr frymëzim nga bukuria e përjetshme dhe natyra transformuese e peizazhit amerikan, duke reflektuar ndryshimin e stinëve. Koncerti është i strukturuar në katër lëvizje, secila që i korrespondon një sezoni të ndryshëm, njësoj si “Katër stinët” e Vivaldit, por tek kjo vepër muzika lëvizë nëpërmjet shtresave ritmike që ndryshojnë shpesh. Violina qëndron në qendër të vëmendjes duke dhuruar tingëllimat pa ndalë.
Violonisti belg-amerikan, Maximilian Haft ka dhënë tërë qenien e tij, teksa violina në duart e tij lëvizte në vend të tij. Krahët e tij lëviznin nëpërmjet ndryshimeve të teksturave, derisa violina qëndronte herë e vetme në përjetim, e herë e bashkuar me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Vepra u interpretua në katërdhjetë minuta dhe solli dinamika të ndryshme që poashtu shfaqi një anë ndryshe të instrumentistëve në skenë. Ata u siguruan që të ekzistojë një bazë ritmike e qëndrueshme dhe minimaliste. Elegenca, hijeshia dhe durimi, ishin pikat kryesore mbi të cilat instrumentet krijonin rrahje pulsuese në ajër. Ishte një vazhdimësi që qoi përpara meloditë pa shpejtuar. Precizitetin e tyre më së miri e dëshmuan instrumentistët e Orkestrës të cilët krijuan një kornizë harmonike dhe ofruan një ndjenjë sigurie, duke lejuar që violina e Haftit të dhurojë spektakël.
Vepra e dytë qe “Simfonina nr. 1 – ‘Low’”, një vepër e thellë e frymëzuar nga albumi legjendar i David Boëie i vitit 1977. Kjo simfoni e ngarkuar emocionalisht, e përfunduar në vitin 1992, është një shkrirje magjepsëse e stilit minimalist të Glass-it me etikën eksperimentale, që shtyn kufijtë e muzikës së Bowie. Simfonia nuk shërben thjesht si një transkriptim orkestral i “Low”, por përkundrazi, ajo riinterpreton dhe transformon teksturat novatore të albumit në një gjuhë muzikore të re.
Simfonia është e strukturuar në dy lëvizje të mëdha, duke pasqyruar dy anët e albumit “Low” të Bowie. Glass i merr këto ndikime dhe i eksploron me teknikat e tij minimaliste, duke u fokusuar në modelet e përsëritura dhe në strukturat harmonike. Megjithatë, ai nuk imiton vetëm tingullin e albumit, por e riimagjinon atë, duke krijuar një peizazh të pasur orkestral që zgjerohet në elementet emocionale dhe zanore që prezantoi Bowie. Dhe, dirigjenti Gregory Charette ishte ai i cili dha gjithçka nga vetja për këtë vepër, duke krijuar një sfond hipnotik dhe pulsues që shpalosi një rrëfim të gjallë, muzikor përmes thjerrëzave të stilit unik të Glass për afro katërdhjetëepesë minuta.
Gjithsej ishin këto dy vepra fenomenale që përmbushën dyorëshin e këtij koncerti, por ato do mbahen mend gjatë për ndryshimin që dhanë në interpretim e përjetim, ndryshe nga koncertet e tjera të Filharmonisë.
Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe pjesëmarrjen e tij për herë të parë në Filharmoninë e Kosovës, për KultPlus foli vetë violinisti Maximilian Haft.
“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Kjo është hera ime e parë në Prishtinë dhe unë kam një njohje me dirigjentin Gregory me të cilin kam studiuar në Poloni dhe ishte një kënaqësi absolute të luaja një pjesë të tillë dhe është një pjesë që do të thotë shumë për mua. Unë jam amerikan si dhe belg, por jam rritur në SHBA dhe jam rritur duke dëgjuar Glass. Ai është një frymëzim për mua dhe vjen nga një traditë rok dhe kjo është diçka që më pëlqen të luaj. Luajtja e një pjese me titull “Katër stinët amerikane” rezonon vërtet me mua. Publiku këtu është publiku më i ngrohtë që mund të kujtoj në shumë vite. Unë mund të ndjej energjinë dhe urinë për muzikë dhe magjepsjen e audiencës. Kjo është një gjë e mrekullueshme dhe unike për Prishtinën. Në pjesën e Glass që kam luajtur, ka vetëm tela, kështu që ishte pak më ndryshe nga pjesa e Vivaldit nga ku dhe u frymëzua.”
Gjithashtu dirigjenti Gregory Charette për KultPlus tregoi përshtypjet e tij rreth koncertit dhe prurjes së veprave moderne në repertorin e Filharmonisë.
“Unë kam ardhur në Prishtinë për të dirigjuar që nga viti 2016, kështu që është gjithmonë fantastike të kthehem në këtë qytet. Ka një energji kaq të gjallë dhe audienca është kaq e përgjegjshme. Ka kaq shumë të rinj në audiencë, gjë që mendoj se është fantastike. Është një ndryshim i vërtetë nga Evropa Perëndimore, ku ka kryesisht të moshuar. Unë dhe Dardani po flisnim për të bërë diçka unike dhe shumë orkestra në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara kanë seri bashkëkohore, dhe kjo nuk ndodh gjithmonë këtu në Prishtinë, sepse orkestra ende është duke u ndërtuar. Menduam pse të mos shfrytëzojmë këtë mundësi për të bërë një koncert bashkëkohor. Philip Glass ka një stil minimalist dhe ne menduam se njerëzit do ta shijonin atë. Pjesa “American Four Seasons” bazohet në pjesën e Vivaldit “Four Seasons” kështu që çdo lëvizje bazohet në të njëjtin lloj formati. Unë mendoj se instrumentimi që Glass përdor është instrumentimi nga “Four Seasons” i Vivaldit, por në vend të kësaj këtu kemi sintajzer për ta bërë atë të tingëllojë më modern. Pra, është edhe instrumentimi edhe struktura e tij.”
Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 15.04.2025 prej orës 19:30 në Autostrada Hangar në Prizren.
Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com