Shitet katalogu i këngëve të David Bowie për më shumë se 250 milionë dollarë

4 Janar, 2022 - 10:00 pm

Trashëgimtarët e pasurisë së muzikantit ikonik, David Bowie, i kanë shitur të drejtat autoriale të të gjitha këngëve të tij për më shumë se 250 milionë dollarë.

Ylli i ndjerë i hitit “Changes” vdiq në vitin 2016, dy ditë para ditëlindjes së 69-të, pas një beteje private me sëmundjen e kancerit. Më 8 janar të vitit 2022, ai do ta shënonte 75-vjetorin e lindjes. Gjatë karrierës së tij muzikore, Bowie i ka realizuar plot 111 këngë dhe marrëveshja e re me kompaninë incizuese, “Warner Chappell Music”, përfshinë këngë nga 26 albumet e tij të incizuara në studio, albumi i ardhshëm postmortum me titull, “Toy”, dy albumet të cilat këngëtari i kishte lansuar me grupin “Tin Machine” dhe këngët e përfshira në filma dhe projekte tjera.

Bashkëkryetari dhe shefi ekzekutiv i kompanisë “WCM”, Guy Moot, tha se janë krenarë që janë përzgjedhur si kujdestarë të muzikës së jashtëzakonshme të këngëtarit të hitit “Space Oddity”.

Përmes një komunikate për media ai tha: “Të gjithë ne në kompaninë ‘Warner Chappell’ jemi jashtëzakonisht krenarë që trashëgimtarët e pasurisë së David Bowiet, na kane zgjedhur të jemi kujdestarët e një prej katalogëve më novator, më me ndikim dhe më të qëndrueshëm në historinë e muzikës. Këto nuk janë vetëm këngë të jashtëzakonshme, por piketa që kanë ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e muzikës moderne. Vizioni dhe gjenialiteti krijues i Bowiet e bënë atë t’i tejkalojë kufijtë në muzikë, duke shkruar këngë që sfiduan traditat dhe janë bërë pjesë e kanunit të kulturës globale”.

Trashëgimtarët e pasurisë së këngëtarit legjendar janë jashtëzakonisht të kënaqur me marrëveshjen e re të arritur. Megjithëse ende nuk është zbuluar shuma e saktë e blerjes së katalogut muzikor të David Bowiet, besohet se ajo e kalon shifrën prej 250 milionë dollarëve. / KultPlus.com

Të ngjajshme