31 Tetor, 2017 - 2:52 pm
Pas ‘Hot Right Now’, ‘R.I.P’ dhe ‘How we do’ zëri i mrekullueshëm i kosovares e cila për pak kohë u bë yll botëror erdhi në vendlindje.
Vendlindja e këngëtares Rita Ora i dha pamjet ideale videoklipit të këngës ‘Shine ya light’. Ishin plotë 4 vite, pasi që, Kosova u shpall shtet i pavarur kur Rita, u kthye në Prishtinë për të bërë hitin e saj të radhës. Fëmijë, të rinj, të reja e të moshuar u bënë pjesë e këtij videoklipi që më vonë u bë edhe videoja që promovoi shtetin më të ri asokohe në botë Kosovën.
‘We gold, we gold we shine’, ishte refreni i këngës së Rita Orës, këngë kjo që pas katër ditëve mbush plotë pesë vite jetë. Më 4 nëntor të 2012-së, doli ky videoklip me bashkëvendësit e Ritës. Ditën kur u xhirua videoklipi, shumë qytetarë zbarkuan në kryeqytetin kosovar. Skena kur Rita u drejtohet mijëra adhuruesve të saj ishte pikërisht ajo mbi mbishkrimin ‘Lindje e Re’ apo ‘New Born’ që ndodhet pikërisht përpara Pallatit të Rinisë. “Nuk më besohet që jam në Kosovë”, kishte thënë Rita, ku brohorimat dhe fjalët e saj u bënë pjesë e këtij klipi të klikuar miliona herë nga njerëz nga mbarë bota.
KultPlus, po e sjellë këtë këngë pak ditë para se t’i mbush pesë vite nga realizimi i saj./ KultPlus.com