Shkëlzen Doli nderohet me titullin e lartë austriak

16 Dhjetor, 2022 - 4:46 pm

Violinisti virtuoz Shkëlzen Doli, është nderuar nga presidenti austriak Alexander Van der Bellen me “Dekoratë nderi për merita në shërbim të Republikës së Austrisë”.

Ky titull i lartë i është dhënë violinistit shqiptar në Kancelarinë Presidenciale Hofburg të Vjenës.

“Ndjehem i privilegjuar dhe shumë mirënjohës”, ka shkruar Shkëlzen Doli në profilin e tij në rrjetet sociale.

Shkëlzen Doli është violinist shqiptar që jeton dhe punon në Vjenë. Prej vitit 2006 është anëtar i Operës Shtetërore të Vjenës ndërsa nga viti 2009 është anëtar i Filarmonisë së Vjenës.

Në vitin 2017, ai solli në Tiranë, 36 artistë nga Austria, për të performuar në kryeqytetin shqiptar, pjesët më të famshme të repertorit të koncertit të famshëm vjenez. Orkestra luajti më shumë se 2 orë valset e familjes Shtraus dhe të kompozitorëve të tjerë botërorë, të cilat u gërshetuan edhe me pjesë shqiptare si “Baresha”./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme