3 Shtator, 2017 - 6:54 pm
Pak ditë kanë mbetur nga koncerti i pagëzuar ‘Shkëlzen Doli – Albanian Soul’, i cili do të mbahet më 23 shtator në Sheshin ‘Skënderbej’. Kësisoj ky koncert rikthen sërish para publikut shqiptar violinistin e njohur Shkëlzen Doli, i cili pritet të mbledhë rreth vetës shumë bashkëkombës të tij në kryeqytetin shqiptar.
Tashmë biletat janë në shitje dhe artisti Doli, vazhdon të jetë aktiv në rrjetin social Facebook, jo vetëm duke ftuar shqiptarët të jenë pjesë e këtij koncerti, por edhe duke treguar se me këtë projekt ai donë të bëjë diçka krejtësisht ndryshe, ai thekson se donë ta promovoj muzikën shqiptare të të gjitha trevave dhe poashtu përmes kësaj donë të jetë sa më afër çdo bashkatdhetari të tij.
“Unë kam filluar të luaj në violinë që fëmijë, dhe asnjëherë nuk kam ndalur, nuk mund të jetoj pa muzikë ajo më jep, frymëzim, energji, dhe forcë. Mundohem që këtë energji t’a përçoj dhe tek publiku çdo herë. Duke qenë anëtar i Filarmonisë së Vjenës në përgjithësi koncertet që zhvillojmë me Filarmoninë janë klasike. Me projektin “Albanian Soul” dua të bëj diçka krejtësisht të ndryshme, dua promovimin e muzikës shqiptare të të gjithë trevave dhe dua të jem sa më afër çdo bashkatdhetari tim. Qëllimi im është që muzika Shqiptare me larmishërinë e saj të promovohet kudo në botë. Nëse do ta realizoj këtë mision timin kjo do të jetë dhe kënaqësia më e madhe, dhe arritja me e madhe e karrierës time”, ka shkruar Doli, duke vazhduar të thotë se me mbështetjen e bashkatdhetarëve të tij do të ia dalë që muzika autoktone e kombit shqiptar të jetë në skenat botërore.
Shkëlzen Doli, përveç projektit që do ta realizoj shumë shpejt, ka përmendur edhe Koncertin e Vjenës të datës 1 janar 2015-të. Ai ka thënë që nga karriera e tij momenti më i veçantë do të ngelet ai kolazh i realizuar me muzikë shqiptare pikërisht në Koncertin e Vjenës.
“Nga karriera ime momenti më i veçantë padyshim është kolazhi i realizuar me muzikën shqiptare në Koncertin e Vjenës në datë 1 Janar 2015. Jam shumë i lumtur që ai kolazh u duartrokit gjatë, u transmetua në 200 televizione në botë, dhe vazhdon të mbetet në memorien e publikut Vjenez ende, si një ndër materialet më të mira të interpretuara ndër vite në koncertin më të famshëm në botë. Muzika Shqiptare është një thesar i çmuar, dhe unë në çdo koncert që realizoj kudo në botë, gjithmonë kam interpretuar pjesë nga muzika jonë. Unë jam Shqiptar, dhe nuk krenohem me asgjë tjetër përveç kombit tim”, ka theksuar Shkëlzen Doli, mjeshtri i violinës i cili me performancat e tij dërgon nga një copë shqiptari në mbarë botën./ KultPlus.com