Shkodër, nis edicioni i 61-të i Festivalit Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë

5 Korrik, 2023 - 9:31 pm

Nisi në Shkodër, Festivali i 61-të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë. Ky festival bashkon zëra të mrekullueshëm të vegjëlish nga gjithë trojet shqipfolëse, në ngjarjen kulturore më të rëndësishme të fëmijëve dhe në eventin më jetëgjatë muzikor në Shqipëri. Gara muzikore e fëmijëve, nisi mbrëmë në Teatrin ” Migjeni” Gara për këngën më të mirë për fëmijë që mbledh fëmijë e artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e diaspora, organizohet nga Bashkia Shkodër, Qendra Kulturore e Fëmijëve ” Kujtim Alija”, Shoqata ” Shpirti Artistik i Shkodrës”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe RadioTelevizionit Shqiptar.

“Ky festival është patentë e sigurt argëtimi, mundësi për zbulimin e talenteve të reja, zbavitjes dhe edukimit me dëshirën për të rizbuluar një qytet si Shkodra”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Festivali konsiderohet si pjesë e trashëgimisë shpirtërore të qytetit të Shkodrës, duke u ushqyer vit pas viti me dashuri e krijimtari nga njerëz energjik dhe të përkushtuar edhe ndaj artistëve të vegjël, ashtu siç bënte dikur prof.Kujtim Alija, dirigjenti historik i festivalit. Ky edicion zhvillohet në datat 4, 5 dhe 6 korrik./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme