Shkodra i hap sërish dyert skenës magjike të ‘Zâ Fest’, artistë nga Shqipëria e mbarë bota do të performojnë nën dritën e hënës e të yjeve

14 Korrik, 2022 - 3:04 pm

Jemi vetëm 14 ditë larg nisjes së Festivalit të shumëpritur ‘Zâ Fest’.

Shkodra i ka hapur sërish dyert skenës magjike të ‘Zâ Fest’, ku artistë nga Shqipëria e mbarë bota do të performojnë nën dritën e hënës e të yjeve, shkruan KultPlus.

Festivali do të zhvillohet mes datave 28, 29 dhe 30 korrik në dy lokacione të ndryshme.

I nisur fillimisht në Theth, Festivali tashmë vazhdon të zhvillohet në Shkodër dhe pas kësaj qëndron një qëllim të cilin për KultPlus e ka treguar krijuesi i festivalit Za Fest, Vlashent Sata.

“Za Fest është një festival që ka lind në Theth dhe pastaj është zhvendosur në Shkodër më idenë për ta zhvilluar veriun e Shqipërisë dhe me qëllim të rizgjimit të kulturës shqiptare në formën më moderne dhe identifikuese, autentike, më të thjeshtë dhe më cilësore”, thotë Sata i cili tutje tregon që festivali është themeluar me dëshirën që fjala dhe kënga si dy elementet identifikuese të kombit dhe kulturës tonë shqiptare, të ishin përfaqësuese të festivalit.

Dhe padyshim që entuziazmi juaj është që të zbuloni edhe artistët që do të performojnë në skenën magjikë të Zâ Fest VI dhe për të ju shuar kureshtjen, organizatorët kanë treguar në detaje se çfarë do të përmbajë ky edicion.

“Festivali këtë vit do të ketë shumë Kosovë brenda”, nis kështu Sata për të vazhduar të shpalos në detaje programin e këtij edicioni.

Nata e parë do të ju presë në ngrohtësinë e ëmbël familjare të qytetit të Shkodrës, përkatësisht në oborrin e familjes së Dr.Shirokës. Një mbrëmje e mbushur me kulturë dhe vargje poetike.

Dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj, do të bëjë hapjen e festivalit, i cili në Za Fest do të flas për temën se si motivohet dhe frymëzohet një artist shqiptar në shqiptari me vështirësitë që ka në vendet tona. Neziraj pasohet nga Erenik Beqiri, mendja dhe shpirti që qëndron pas filmit “The Van”. Filmi aktualisht po transmetohet kudo në botë, e gjithashtu ishte pjesë e kompeticionit zyrtar në Festivalin e Kanës. Kjo natë përmbyllet me Arben Bajraktaraj & Linda Rukaj që do të dhurojnë një spektakël që quhet “Mall” i ndërthurur mes poezisë dhe muzikës.

Pas kësaj nate, festivali merr rrugën për te Kalaja e Rozafës, ku skenës fillimisht do t’i bashkohet Lylit, një zë shumë i bukur austriak që po bën karrierë në Austri, Elina Duni dhe Vlashent Sata dhe për përmbyllje Amor Del Rey si Dj, kjo është edhe veçanti e këtij viti, sepse do të ketë edhe muzikë elektronike për të rinjtë, por muzikë që i rrinë e veshur mirë Za Fest-it.

Nata përmbyllëse, 30 korriku, do të mirëpres Cristiana Verardo, një nga zërat më të veçantë të brezit të ri të kantautoratit italian dhe për të përmbyllur natën e tretë do të performojë Jericko dhe dy motrat kosovare që quhen Bijat.

“Dëshira jonë është të bashkojmë të gjithë shqiptarët dhe njerëzit që vijnë nga mbarë bota”, thonë organizatorët.

“Mendim i mirë, rri me ne edhe këtë herë!”, është motoja me të cilën po shoqërohen paralajmërimet e nisjes së festivalit, andaj rrini edhe ju pranë festivalit më të veçantë në trojet shqiptare.

Krejt për fund, na duhet të ju tregojmë që biletat shiten online të Myticket.al dhe gjithashtu mund t’i gjeni edhe fizikisht shumë pika në Shqipëri dhe Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme