“Shkodra Jazz Festival” këtë vit fillon edicionin e dhjetë

14 Gusht, 2019 - 11:00 am

Një festival, që prej vitesh është mirëpritur nga publiku, ku dhe këtë vit nuk do të mungojnë koncertet dhe aktivitet e ndryshme.


Festivali do të startojë këtë verë më 17 gusht në qytetin e Shkodrës për të vijuar me muzikën dhe artistët pjesëmarrës. Me drejtor artistik Florian Jakaj festivali në edicionin e dhjetë do të nisë me masterclasse dhe “Rrok Academy”, që mban emrin në nderim të kujtimit të ideatorit Rrok Jakaj.
Në edicionet e festivalit, të ftuarit kanë qenë artistë të huaj të njohur botërisht, por edhe shqiptarë me karriera brenda dhe jashtë vendit.

Deborah J. Carter, këngëtarja e njohur amerikane e muzikës jazz e cilësuar nga revista prestigjioze Music Maker “Absolutely Top-Class” me zërin e saj magjepsës, Johannes Fabbersi dhe Alboran trio do të jenë disa nga grupet dhe artistët, që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm të “Shkodra Jazz”, që do të zgjasë deri më 1 shtator. Këngëtarja e njohur amerikane e muzikës jazz, Deborah J. Carter u shpreh: “Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri, por më kanë folur për atmosferën që krijohet në Shkodër. Do jetë kënaqësi të punoj me studentët në “Rrok Academy””, pohon Deborah J. Carter, njëra prej yjeve më të njohura të muzikës jazz në botë, e cila ka kënduar e shoqëruar nga Metropole Orchestra, HR Frankfurt Radio Big Band, Berlin Jazz Orchestra e shumë të tjera.

Në festival do të marrë pjesë edhe pianistja e suksesshme në skenat e teatrove më me emër në të gjithë Europën, Vezena Zeiner nga Austria. Ajo do të bëjë dhe hapjen e “Main Concert”.

Në ditët në vazhdim, performanca do të kalojë në telat e kitarës nën tingujt e Manouche, një prej emrave me të shquar në Itali, Nunzio Barbieri, duke kaluar më pas tek magjia e trios të Daniele Gorgone, e cila do pasurohet me pjesëmarrjen e Deborah J. Carter me ngrohtësinë e zërit të pasur me ngjyra. /sotnews/ KultPlus.com

Të ngjajshme