25 Prill, 2025 - 1:29 pm
Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e “Novinarski Dom” në Zagreb të Kroacisë, është mbajtur një koncert me rastin e 75-vjetorit të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” nga Prishtina.
“Ky përvjetor i rëndësishëm u shënua me një ngjarje kulturore të nivelit të lartë, duke sjellë pranë publikut shqipëtar në Kroaci artin dhe përkushtimin që kjo shkollë ka kultivuar ndër vite”, thuhet në njoftimin e Unionit të Shqiptarëve në Kroaci.
Në koncert kanë performuar kori dhe orkestra e shkollës, me një repertor të përzgjedhur mjeshtërisht, duke përfshirë vepra të kompozitorëve klasikë si Bach, Mozart, Elgar, Bruckner, Saint-Saëns, Rudi dhe Abreu.
“Emocionin dhe hijeshinë e mbrëmjes e shtuan edhe solistët Princ Fanaj, Elton Syla, Vesa Berisha, Bleta Martinaj dhe Eris Laçi, nën dirigjimin plot pasion të Lirjona Sylejmanit. Ky koncert është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit kulturor, me mbështetjen e institucioneve nga Prishtina dhe Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, që mundësuan prezantimin e talenteve më të mirë të muzikës klasike shqiptare në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në Kroaci”, thuhet tutje në njoftim.
Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” është një institucion që, për më shumë se shtatë dekada, ka qenë shtyllë e fortë e edukimit muzikor dhe ka nxjerrë gjenerata të tëra artistësh të talentuar./KultPlus.com