1 Korrik, 2021 - 11:12 am
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit së bashku me organizatorët e festivalit Zambaku i Prizrenit, shpallin listën e këngëve konkurruese të përzgjedhura për të qenë pjesë e garës zyrtare të këtij edicioni të festivalit. Festivali tradicional i këngës së lehtë Zambaku i Prizrenit sivjet shënon edicionin e tridhjetë e dytë dhe organizohet me 24 korrik në bahçen e Kino Lumbardhit në Prizren.
Juria Profesionale për shpalljen e këngëve fituese do të bëj përzgjedhjen e tri këngëve më të mira të festivalit për çmimin e parë, dytë dhe tretë, dhe të gjithë pjesëmarrësit në mbrëmjen e Zambakut do të kenë mundësinë të votojnë për këngën e tyre të preferuar, e cila edhe do të rrëmbej çmimin kryesor të festivalit atë të Zambakut të Prizrenit.
Nga 36 këngët konkurruese të edicionit të 32-të, juria profesionale/seleksionuese e përbërë nga: Arben Skenderi – Prof. Celist/Kompozitor (kryetar jurie), Elvis Bytyqi – Prof. Kitarist (anëtar) dhe Dardan Gjinolli – Prof. Saksafonist (anëtar), kanë përzgjedhur 16 këngët garuese të festivalit si në vijim:
Festivali i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit” është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat. Gjatë viteve të 90-a, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA “Agimi”, e cila arrin që këtë festival ta bart në vitet e pasluftës, prej kur komuna e Prizrenit merr përsipër menaxhimin e tij. Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit” mbahet për çdo vit në fund të qershorit/fillim të korrikut, dhe në të interpretohen këngë në gjuhën shqipe, turke e boshnjake.
Zambaku i Prizrenit përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës qytetare, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë. Ditëve në vijim do të publikohen detaje të reja rreth organizimit të festivalit. / KultPlus.com