17 Mars, 2023 - 11:45 pm
Në 80-vjetorin e lindjes të kompozitorit dhe dirigjentit Haxhi Dalipi, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit organizoi koncertin e titulluar “Shpirti i Labërisë”. Koncerti i Ansamblit Popullor kujtoi vlerat dhe pasuritë e patjetërsueshme të kulturës sonë kombëtare, ku qëndron edhe kontributi me vlerë i etnomuzikologut e studiuesit të spikatur, Haxhi Dalipi.
Koncerti kishte një repertor plot këngë, korale dhe valle të kompozuara, përpunuara dhe orkestruara për Ansamblin Popullor nga “Artisti i Merituar” dhe “Mjeshtri i Madh”, Haxhi Dalipi.
Shfaqja nisi me pjesën korale “Vajz’e valëve”, interpretuar nga grupi vokal. Më pas kanë interpretuar solistet Malvina Likaj, Mirela Aliaj, Denisa Gjezo, Avni Mirakaj, Rajmond Kllogjeri, si dhe grupi i valleve të Ansamblit Popullor.
Haxhi Dalipi lindi në vitin 1941 në Gjirokastër, ku kreu shkollën e mesme dhe studioi për flaut. Më pas ndoqi studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë për kompozicion dhe dirigjim. Për vite me radhë drejtoi Ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend. Në vitin 1988 krijoi orkestrën simfonike dhe filarmoninë e qytetit. Punoi si dirigjent kori në Vlorë, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë. U nda nga jeta në vitin 2006.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe Presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë./atsh/ KultPlus.com