Shqiptari nga Amerika, kryedirigjent në Teatrin Nacional të Gjermanisë

20 Shtator, 2017 - 10:10 am

“Erste Kapellmeister” i ri, një titull muzikor që mund të përkthehet si drejtor muzikor ose “kryedirigjent” i Teatrit Nacional Gjerman në Weimar është Stefan Lano. Ai është shqiptar dhe është emëruar tash së voni në këtë post.

I lindur para 65 vitesh më parë në SHBA, Stefani ishte fëmija i një çifti shqiptarësh të ikur atje nga regjimi i Enver Hoxhës, shkruan concerti.de. në artikullin me titullin “Një kosmopolit në Weimar”. E Wimar-i njihet si qyteti i poetit të madh gjerman, Goethe.

Stefani thotë se për herë të parë ka pasur rastin të vizitonte atdheun e tij, Shqipërinë, në vitin 2014, falë ftesës së bërë nga ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Zagreb, transmeton albinfo.ch.
“Prindërit e mi nuk e kishin vizituar më kurrë Shqipërinë gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës.

Ndërsa unë e kam ndjerë veten atje menjëherë si në vend timin”, shprehet Lano. Këtë përgjigje e jep pasi është pyetur nga gazetari nëse në pasionin e tij për vepra komplekse muzikore rrah edhe shpirti i tij ballkanik. Por, sipas tij, zemra e tij rrah “për çdo muzikë”.

Ai, me përvojën e tij të pasur prej dirigjenti konsiderohet të ketë sjellë fat në Teatrin Gjerman. Lano ka qenë asistent i dirigjentit të madh Loreen Maazel në Orkestrën Simfonike të Pitsburgut, në Gjermani, dirigjent kryesor në orkestrat përkatëse nacionale të Argjentinës e të Uruguait etj. Thjesht, ai është njëri ndër ekspertët më të kërkuar për muzikë bashkëkohore teatrore në botë. / KultPlus.com

Të ngjajshme