Shtatë javët që ndryshuan Rock-un

11 Shtator, 2021 - 4:32 pm

Në historinë e rock-ut, viti 1991 shihet shpesh si viti kur gjithçka ndryshoi. Sipas legjendës urbane, grunge erdhi si një meteor, duke asgjësuar dinosaurët e hair metal që kishin dominuar panoramën e rock-ut në dekadën pararendëse. Por në të vërtetë nuk pati një asgjësim të menjëhershëm për grupet e Los Angelesit. Ajo që ndodhi, ishte një dalje pothuajse e menjëhershme e një serie albumesh epokale, të gjithë mes gushtit dhe shtatorit 1991, një dallgë shkatërrimtare e rock-ut alternativ.

“Në fundin e viteve tetëdhjetë, skenës i nevojitej një shkundje e mirë”, thotë një nga redaktorët e “Kerrang!” të asaj kohe, Geoff Barton. “Duhej diçka për t’i dhënë një pastrim të mirë rock-ut, edhe pse nuk mendoj që ne ishim të vetëdijshëm për atë që po ndodhte”.

Gazetarëve edhe mund t’u kish ardhur në majë të hundës nga hedonizmi pothuaj karikaturor, por publiku vazhdonte të blinte albumet. Vera nisi pa surpriza. Në 17 qershor, Van Halen nxorri albumin “For unlawful carnal knowledge”, që hyri menjëherë në vendet e para si në Angli, ashtu edhe në SHBA. Dy javë më vonë, kanadezi Bryan Adams nisi të pushtojë klasifikimet me “Everything I do (I do it for you)”. Pavarësisht se ishte një shembull i përsosur i rock-ut të ëmbëlsuar të viteve ’80, ajo baladë ishte një sukses nga pikëmapja komerciale, duke u ngjitur në majë të klasifikimeve ndërkombëtare, me rekordin e arritur në Angli, ku qëndroi për 16 javë dhe në Kanada, plot 39 javë. A ju duket ky si viti ku gjithçka ishte nën pushtetin e “grunge”?

Suksesi i Adams ishte shenjë e normalitetit. Në javar, Scorpions kishin nxjerrë “Wind of Change”, një sukses i jashtëzakonshëm që në fund shiti 10 milion kopje në të gjithë botën. Dhe në 8 qershor Extreme kishin mbërritur në majë të klasifikimeve të SHBA, me “More than Words”. Asnjë prej dy grupeve nuk ishin të famshëm për baladat melodike (edhe pse në karrierën e tyre tredekadëshe, Scorpions e kishin provuar herë pas here).

Edhe pse grupet kishin patur “frikë” se mos akuzoheshin që ishin “shitur”, çdo kritikë u zbeh falë parave që vërshuan me miliona nga e gjithë bota, një provë që ajo e baladave ishte ende një rrugë e vlefshme për të shitur. Në pjesën më të madhe, industria muzikore vepronte ende siç kish bërë në dekadën pararendëse. Shenja e parë që diçka po ndryshonte në panoramën e rock-ut erdhi kur R.E.M. më në fund mbërritën në vendin e parë, me albumin “Out of time”. Por duke qenë se gjashtë albumet e tyre të mëparshme kishin hyrë në Top200 të “Billboard”, ky u duk më shumë si një çmim për qëndrueshmërinë e tyre (dhe suksesin e “Losing my Religion”), se sa një ndryshim paradigme i muzikës Rock.

Por në 12 gusht 1991, u duk se gjërat nisën të ndryshojnë: Metallica kishin vendosur të bëheshin grupi më i madh në botë. Duke punuar me producentin Bob Rock, zëvendësuan “thrash-in progresiv”  të albumit të tyre “And justice for all”, me një përzierje shpërthyese të fuqisë së arena-metal dhe sinqeritetit të classic rock. Në formën e një albumi me 12 këngë që mbante thjesht emrin “Metallica” (sot të gjithë e quajnë “Black Album”), albumi i tyre i ri kapërceu çdo pritshmëri, duke shitur pesë milion kopje vetëm në vitin e parë. Siç zbuloi Bob Rock në vitin 2017 për “Reverb”, “Black Album praktikisht i ndryshoi gjërat. E kishin të gjithë. Madje edhe gjithë dentistët e donin Black Album. Ndodhi një transformim muzikor: kur doli ai album, ndryshoi radiot, sepse solli në radio këngët heavy… Nuk besoj të kem bërë ndonjëherë ndonjë album me këto rezultate, para atij viti. Jam shumë krenar”. Më monumental se çdo album tjetër i rrymës thrash, albumi i transformoi Metallica-t nga një grup i dashur, por në një farë kuptimi ende underground, në yje të rock-ut të një niveli planetar. Kënga e parë, “Enter Sandman” frymëzohej nga skena muzikore që po lindte në Seattle, duke përgatitur publikun për zbulimin e radhës, pikërisht kur po shpërthente. “Dëgjoja shumë këngë nga bregu i Paqësorit Verior, që në vitin 1987 kisha albumin e parë të Soundgarden”, ka pranuar Kirk Hammett, kitarist i Metallica. “Nuk mendoja se ishin grunge. Mendoja më shumë për Black Sabbath. Ajo lëvizje ndryshoi pamjen dhe stilin e shumë grupeve, dhe praktikisht përcaktoi se si duhej të ishte një grup muzikor në ato momente”.

Por Pearl Jam nuk ishin grupi i parë muzikor që nxirrte një album në vitin 1991.

Disa pjesëtarë të grupit kishin nxjerrë tashmë diçka: Jeff Ament dhe Stone Gossard mbanin ende zi për vdekjen e këngëtarit të tyre tek Mother Love Bone, Andy Wood, kur u kontaktuan nga këngëtari i Soundgarden Chris Cornell, me idenë për të regjistruar disa këngë, në nder të këngëtarit të vdekur. E pagëzuan me emrin “Temple of the Dog”, dhe duke u kompletuar me bateristin e Soundgarden Matt Cameron dhe kitaristin e ardhshëm të Pearl Jam, Mike McCready, grupi kish nxjerrë një album me të njëjtin emër në 19 prill.

Pak më shumë se 4 muaj më vonë, Ament dhe Gossard festonin lindjen e grupit të tyre të ri, Pearl Jam. As “Temple of the Dog” dhe as albumi i parë i Pearl Jam, “Ten”, nuk i ndezën klasifikimet, por të dy përgatitën skenën për shpërthimin e afërt të rrymës grunge. Përgjatë verës, rock-u vazhdoi të pushtojë gjithnjë e më shumë hapësira “Roll the bones” i Rush, “On every street” i Dire Straits e madje edhe “The fire inside” i Bob Seger, luftonin për një vend në klasifikime.

Në shtator, fushëbeteja ishte tashmë gati: pothuaj të gjithë albumet e mëdha të rock-ut ishin të përqëndruar në një dritare 2-javore, që pa gardën e vjetër dhe rishtarët të përballeshin për dominimin e klasifikimeve.

17 shtatori shënoi një avantazh për gardën e vjetër: Ozzy Osbourne nxorri “No more tears” ndërkohë që Guns’n’Roses nxorrën albumin e dyfishtë “Use your Illusion I & II”. Këta të fundit arritën të ngjiten në vendet 1 dhe 2 të “Billboard 200” si dhe në shumë klasifikime ndërkombëtare. Dhe ishte e parashikueshme. Më befasuese ishte rilindja e dytë e Osbourne me “No more tears”. Pasi i kishte mbyllur keq vitet tetëdhjetë, në telashe pasi kishte sulmuar dhe pothuaj mbytur bashkëshorten Sharon, nën kthetrat e alkoolit dhe drogës, pas Festivalit të Paqes në Moskë shumëkush e kish menduar të mbaruar. Por pas gjashtë muajsh rehabilitim, Osbourne ishte rikthyer, me një prej albumeve solo më solidë dhe të vlerësuar nga kritika. Në 17 shtator doli edhe “Pretty on the inside”, albumi i parë i grupit nga Los Angeles, Hole. Edhe pse jo në një nivel me dy kolosët me të cilët kish ndarë datën e publikimit, Hole kish hedhur themelet e një tjetër revolucioni muzikor të viteve 90 – Riot Grrrl. Duke u ngjitur në klasifikime, ato ishin prova se rock-u alternativ i viteve ’90 nuk ishte i kufizuar vetëm në Seattle, as ishte i kufizuar tek disa grupe djelmoshash që këndonin për problemet e tyre me drogën. Pastaj, në 24 korrik, rock-u alternativ u ndez flakë: “Blood sugar sex magic” i Red Hot Chilli Peppers, fotografoi më së miri skenën e funk rock-ut që po lindte. Edhe grunge, hodhi në skenë asët e vet: “Badmotorfinger” i Soundgarden dhe “Nevermind” i Nirvana. Nga të tre, Nirvana-t dukej se ishin më të dobëtit nga pikëpamja komerciale. Ishin grupi më i ri dhe në nivel shitjesh kishin rezultatet më të dobëta. Nga të gjithë albumet që dolën në shtatë javët e famshme, nga pikëpamja komerciale fitimtarë ishin Metallica: në 31 tetor 1991 – pak ditë pas 10-vjeçarit të parë si grup – “Black Album” mori Platin të trefishtë sa u përket shitjeve. Kur verën pasardhëse ndërmorën një tur në stadiumet e SHBA bashkë me Guns’n’RosesMetallica u gjendën përballë një tabele që shkruante: “Vetëm një grup rock ka shitur më shumë se 5 milion kopje të një albumi të vetëm në vitet ‘90”. Por nëse Metallica fituan garën në nivel shitjesh, kaluan vetëm 24 orë për të festuar para se të rrëzoheshin nga froni, prej Grupit më të Rëndësishëm të Rock-ut. Titulli u shkoi Nirvana-ve, albumi i të cilëve “Nevermind” u ngjit në Nr.1 në SHBA, në 1 nëntor. Ashtu si çdo gjë tjetër në historinë e rock-ut alternativ dhe grunge, “Nevermind” nuk ishte një sukses i papritur. Ishte forca e jashtëzakonshme e këngës “Smells like teen spirit” që projektoi Nirvana-t – dhe të gjithë lëvizjen grunge – në vëmendjen e njerëzve. Një përzierje transmetimesh në radio dhe prania e madhe e videos tashmë klasike në të gjithëpushtetshmen MTV, nxiti një furi të tillë për Nirvana-t, sa që disqet e tyre shiteshin më shpejt nga sa mund të prodhonte etiketat reparti përkatës i marketingut.

Brenda një viti, pjesa më e madhe e albumeve që dolën mes gushtit dhe shtatorit 1991 (“Blood sugar sex magic”, “Ten”, “Nevermind”) kishin arritur shitje stratosferike. Edhe më e rëndësishme, ishte se suksesi i këtyre albumeve dekretoi fundin e rock-ut të viteve tetëdhjetë. Janet Billig Rich, që kish punuar si menaxhere mes të tjerëve për grupe si NirvanaSmashing Pumpkins dhe Hole, pa me sytë e vet drejtuesit e kompanive të mëdha producente që të garonin për grupet e Seattle. “Mund të krijoje një grup dhe më pas të shkëpusje një frazë mbi ta, ndoshta duke ia atribuar atë Kurt Cobain-it. Melvins janë një shembull i përsosur. Kurtit i pëlqenin Melvins, kështu që të gjithë donin të firmosnin një kontratë me ta. Ishin të gjithë në gjendje shock-u. Në të vërtetë gjithçka ishte bërë shumë e lehtë. Ishte ekonomi e pastër. Nirvana-t ishin bërë një sistem ekonomik”.

Ndërkohë që Evropa apasionohej me valën e re të artistëve amerikanë që bëheshin shumë popullorë, edhe në Angli punohej, madje edhe në një kohë kur grunge goditi me të gjithë forcën e vet. Eksperienca e pafat e Blur për të promovuar albumin e parë “Leisure” (26 gusht 1991), shtyu drejt një reagimi instiktiv në favor të rock-ut të importuar, që ndihmoi në kodifikimin e lëvizjes së Britpop. Në po të njëjtën mënyrë, Primal Scream patën rezultatet e tyre të para komerciale me nxjerrjen në 23 shtator të “Screamadelica”, një album që i pa të largoheshin prej rrënjëve të indie rock, në drejtim të rrymës house, duke i paraprirë kështu ngjitjes së grupeve si Massive Attack dhe Prodigy.

Me pak fjalë, vera e vitit 1991 kish parë transformimin e panoramës rock: grupe që 12 muaj më herët shiheshin si yje, tashmë ishin zhvendosur në portën e pasme. Edhe pse nuk ishte një meteor gjigand grunge, mbetet fakti që në vetëm shtatë javë, mes gushtit dhe shtatorit 1991, muzika rock alternativ realizoi një goditje kulturore që nuk ishte parë kurrë më parë. Dhe praktikisht, askush nuk kuptoi gjë, deri kur ndodhi gjithçka. Dhe ndodhi e gjitha menjëherë. / Classic Rock – Bota.al / KultPlus.com

Të ngjajshme