14 Gusht, 2019 - 9:00 pm
“Diaspora Artistike dhe Shkencore – SHBA”, është koncerti që do mbahet në Tiranë më 8 shtator ku do të interpretojnë pianisti shqiptar Redi Llupa dhe violonçelisti argjentinas Juan Sebastian Delgado.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko i cili thotë se ky aktivitet kulturor vjen si bashkëpunim mes ministrisë së Shtetit për Diasporën dhe Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.
Pianisti Llupa ka interpretuar në skenat muzikore të Europës, Amerikës Veriore dhe Jugore dhe të Azisë duke promovuar muzikën dhe kompozitorët shqiptarë, ndërsa Delgado është i njohur për interpretimin e muzikës bashkëkohore.
Më herët, në 2015 pianisti i talentuar Redi Llupa ka çelur edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar me koncert-Leksion në universitetin e Arteve. /KultPlus.com