1 Gusht, 2021 - 2:27 pm
Frontmeni i grupit të famshëm “Nirvana”, Kurt Cobain i cili ishte vetëvrarë në moshën 27-vjeçare në vitin 1994, ishte rritur në një shtëpi modeste në Aberdeen të Washingtonit. Cobain kishte jetuar aty mes viteve 1968-1984.
Departamenti i Arkeologjisë dhe Ruajtjes Historike në Washington e ka shtuar shtëpinë e tij në regjistrin e trashëgimisë, transmeton KultPlus.
Pronari i shtëpisë, Lee Bacon e ka ristauruar shtëpinë duke e kthyer atë në kushtet e saj origjinale. Pritet që duke filluar nga viti i ardhshëm, shtëpia t’i hapë dyert për vizitorë.
Ai gjithashtu ka njoftuar planet për një Tribute Lounge dhe Gallery Cafe në qytet, ku tifozët e krijuesit të hitit “Come As You Are” do të gjejnë pjesë të ndryshme kujtimesh rreth tij.
Allyson Brooks, drejtor ekzekutiv në Departamentin e Arkeologjisë, ka thënë për Rolling Stone se kanë dashur t’ua bëjnë me dije të gjithëve se në atë shtëpi ka ndodhur diçka që më vonë u bë e madhe.
“Në këtë rast, është Kurt Cobain, i cili ka zhvilluar pasionet dhe aftësitë e tij muzikore në shtëpinë e tij në Aberdeen. Secili në Këshill e ka pranuar rëndësinë e shtëpisë”, ka thënë Brooks. / KultPlus.com