29 Janar, 2018 - 4:27 pm
Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi që nga shtatori i këtij viti do t’i bashkohet shtëpisë operistike të Hamburgut, Staatsoper Hamburg, shkruan KultPlus.
Elbenita përmes një postimi në Facebook, ka ndarë emocionet e këtij lajmi të mrekullueshëm për artisten. Sopranoja kosovare ka thënë se ndihet e lumtur që tani e tutje kjo shtëpi do të jetë shtëpia e performancave të saj në mjaft role sfiduese e të dashura.
“Të jesh pjesë e ansamblit të një shtëpie opersitike sikur ajo e Hamburgut është privilegj shumë i madh, puna dhe përkushtimi i madh që i kam vënë këtij profesioni po më shpërblehet çdo ditë, prandaj miq të dashur nuk duhet dorëzuar asnjëherë sepse asgjë nuk është e pamundur”, është mesazhi i sopranos pas marrjes së këtij lajmi.
Elbenita Kajtazi, vjen nga qyteti i Mitrovicës dhe ka pasur rastin të performoj në disa prej shtëpive më të rëndësishme të operës në Evropë./ KultPlus.com