11 Korrik, 2018 - 7:23 pm
E njohur për zërin e saj, për përfaqësimin më dinjitoz që i ka bërë Kosovës edhe në kohën e ish Jugosllavisë por edhe më vonë, shteti i Kosovës nuk ia ka kthyer me të njëjtën monedhë përkujdesjen këngëtares së madhe kosovare Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.
Së fundi ajo ka pësuar një aksident ku për pasojë është dashur të kërkojë edhe trajtim mjekësor.
Kurse për të parë nga afër gjendjen e Nexhmije Pagarushës ka shkuar ta vizitojë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, por Qeveria të cilën e udhëheqë ai, pensionistët po i trajton njësoj sikurse qeveritë e mëhershme të Kosovës, e aq më pak të kenë një tretman më të veçantë figurat që kanë dhënë shumë për këtë vend. Nëse dikush meriton përkujdesje nga shteti për gjithë çfarë ka bërë për këtë vend, ajo është padyshim Nexhmije Pagarusha, për të cilën të gjithë krenohen, por në këtë mes mungojnë veprat shtetërore të cilat krenarinë do duhej ta shprehnin ndryshe e jo vetëm me fjalë.
KultPlus nëpërmjet burimeve ka mësuar se Nexhmije Pagarusha ka një pension prej vetëm 158 eurove, me të cila paguan edhe një grua që të përkujdeset për të gjatë pesë ditëve të javës, pasi që, këngëtarja e njohur jeton e vetme.
Se meriton një përkujdesje shtetërore, një propozim i tillë ka qarkulluar qysh nga periudha e Titos, por premtim që nuk është realizuar asnjëherë, sikurse që nuk është realizuar as në periudhën e fundit.
KultPlus poashtu mëson se Nexhmije Pagarusha ka edhe një honorar nga RTK, si bashkëpunëtore e jashtme e këtij televizioni.
Ajo jeton prej vitesh e vetmuar në një banesë të vogël në Prishtinë, gjithmonë duke i munguar një kujdes i veçantë çfarë edhe e meriton. Shteti i Kosovës ndonëse nuk ju gjend asnjëherë pranë për ndihmë, por vetëm kur u desh të thurin lavde, të paktën në këtë moshë të shtyrë, kur ajo ka nevojë më shumë se asnjëherë për kujdes, të bëjnë më shumë në këtë aspekt.
Një vendbanim pranë natyrës, aty ku më së shumti do t’i flinte shpirti, me njerëz përreth që do të kujdeseshin për të e ta shoqërojnë në çdo hapë që ajo hedhë, do të ishte më e pakta që mund të bëjë shteti për atë e cila me vite të tëra i bëri krenarë shqiptarët e zëri i saj i shoqëroi në momentet më të bukura të jetës.
Medaljet nuk i kanë munguar as nga shteti i Kosovës e as nga ai i Shqipërisë, madje ajo së fundmi është dekoruar edhe me medalje nga Presidenti i Amerikës, Donald Trump, por para së gjithash asaj po i duhet përkujdesje. / KultPlus.com