Shtohen dy shtete të reja në listën e ‘Eurovision 2022’

21 Tetor, 2021 - 5:57 pm

41 shtete do të konkurrojnë në “Eurovision Song Contest 2022”, njofton Unioni Europian i Transmetuesve.

Konkursi i 66-të do të mbahet në arenën PalaOlimpico në Torino më 10, 12 dhe 14 Maj. 39 vendet që morën pjesë në konkursin 2021 rikthehen sërish, ku është shtuar Mali i Zi dhe Armenia, transmeton KultPlus.

“Ne jemi aq të ngazëllyer që kemi edhe një herë mbi 40 transmetues që konkurrojnë për të fituar trofeun ikonik të Eurovision”, tha mbikëqyrësi ekzekutiv i konkursit Martin Osterdahl. “Eurovision Song Contest do të ofrojë emocionin dhe spektaklin  e avancuar të artit që pritet nga rreth 200 milionë shikues”.

EBU tha se 36 vende do të konkurrojnë në dy gjysmëfinale, 10 nga secila që do të bashkohen me të ashtuquajturit “Pesë mbështetësit kryesorë financiarë” – Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja.

Në festivalin Eurovision 2021, Italia rrëmbeu vendin e parë me hitin “Zitti e Buoni” nga Maneskin, ndërsa Shqipëria e përfaqësuar nga Anxhela Peristeri me këngën “Karma” u rendit në vendin e 21. Ende nuk dihet emri i këngëtarit që do ta përfaqësojë Shqipërinë këtë event të rendësishëm deri në shpalljen e fituesit nga Festivali i fundvitit të Radio Televizionit Shqiptar. / KultPlus.com

Të ngjajshme