Sibelius, Bruch dhe Rachmaninoff: Një mjeshtëri simfonike që e shpalosi Orkestra e Filharmonisë së Kosovës

19 Janar, 2025 - 6:30 pm

Era Berisha

Gjithsej tri vepra fenomenale janë gërshetuar në programin e përzgjedhur për koncertin e mbajtur nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Koncerti ka dëshmuar për një virtuozitet të përpiktë që ka dalë përtej limiteve. Pjesëmarrja e violinistes shqiptare, Abigelia Voshtina dhe drejtimi mjeshtëror i dirigjentit italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli, të cilët vijnë për herë të parë në Prishtinë, ka sjellë diçka unike që rrallëherë e dëgjojmë brenda mureve koncertale. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës e ka nisur vitin me koncertin e mbajtur të premten mbrëma, duke lënë kështu gjithë shpirtin para audiencës në një unitet me harmoninë e tingujve, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ishin të pranishmit që u ulën ngadalë dhe mbushën Atelienë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Salla qe mbushur nga cepi në cep dhe kjo dëshmoi për mungesën që është ndjerë nga audienca për të qenë pjesë e koncerteve të tilla. Në prapavijë shiheshin perdet në ngjyrë të zezë që i shtuan një elegancë hapësirës, teksa reflektorët në ngjyrë të kaltër gjallëruan akoma më shumë vendin duke ndriçuar hapësirën. Teksa ora po shënonte 19:30, të pranishmit fikën celularet e tyre ashtu edhe siç iu ishte udhëzuar. Duartrokitjet mirëpritën instrumentistët në skenë, e bashkë me ta edhe dirigjentin italian Sipari di Pescasseroli, i cili iu drejtua brohoritjeve me një buzëqeshje.

Vepra e parë që u prezantua ishte uvertua “Finlandia, Op. 26” nga kompozitori finlandez Jean Sibelius. Vepra është një poemë simfonike e kompozuar në 1899. Është një nga veprat më të njohura të Sibelius-it dhe një simbol i nacionalizmit finlandez. Gjithçka nisi me një emocion të lehtë e të qetë por të errët. Telat e tunxhit po krijonin një atmosferë të këndshme. Kjo hapje sugjeron shtypjen me të cilën përballej populli finlandez nën sundimin rus në atë kohë. Muzika ndërtohet në intensitet, me pasazhe të turbullta që ngjallin një ndjenjë rezistence dhe vendosmërie. Më pas, ndodhin ndryshme të tjera të cilat vijnë si melodi të qeta, porsi një himn i përbashkët i telave, duke simbolizuar shpresë. Vepra përfundon në një pikë që portretizon një deklaratë të fuqishme lirie e cila shoqërohet nga telat e tunxhit që dëgjohen dukshëm.

Vepra e dytë qe “Koncerti për Violinë Nr. 1, Op.26” nga kompozitori gjerman Max Bruch që erdhi me një ndjeshmëri të paparë. Solistja e shquar shqiptare Abigeila Voshtina ka shpalosur një talent që i dukej e shkruar në fytyrë dhe gdhendur në gishtërinjtë e saj. Vepra e kompozitorit Bruch është një kryevepër e repertorit romantik dhe një nga veprat më të dashura për violinë të kompozuara ndonjëherë. Solistja Voshtina ka treguar për një përsosmëri të shkëlqimit teknik dhe një thellësi emocionale që buronte nga e gjithë prezenca e saj. Karakteri romantik i veprës krijonte një atmosferë që çmendej nga nota në notë. Vepra është një nga më të paharrueshmet dhe audienca mbrëmë do e mbaj mend gjatë atë. Momente pasioni, butësie dhe gëzimi buronin qetësisht e herë edhe rreptë nga violina e solistes Voshtina, andaj edhe duartrokitjet e shumta që nuk kishin ndalim, e rikthyen solisten për disa çaste të mëtutjeshme. Kjo vepër ishte padyshim pjesa më e bukur e mbrëmjes.

Pas pesëmbëdhjetë minutave pauzë, vepra e fundit interpretuese ishte premiera kosovare “Ishulli i të Vdekurve, Op.2″ nga kompozitori rus Sergei Rachmaninoff. Vepra është një poemë simfonike e frymëzuar nga një pikturë me të njëjtin emër nga artisti zviceran Arnold Böcklin. E kompozuar në vitin 1908, kjo vepër kap ndjenjën e thellë të misterit, melankolisë dhe kalimit në të panjohurën. Efekti hipnotik që kishte kjo vepër u dallua qysh në fillim. Motive të ndryshme përshkojnë brenda veprës e cila është një kompozim delikat dhe dramatik. Orkestrimi i vrullshëm shponte ajrin, teksa timbri i errët thumbonte hapësirën. Emocionet herë binin e herë ngriheshin, varësisht nga dominimi i instrumenteve diversive. Çastet e pastra të lirizmit shkëlqenin çdoherë, duke reflektuar një romantizëm të paparë. Udhëtimi i melodive përfundoi aty, kur muzika gradualisht ulet dhe qetësisht merr fund. Aftësia e Rachmaninoff-it për të evokuar imazhe dhe emocione kaq të gjalla e bën këtë pjesë një përvojë të thellë. Karakteri i tij meditues por dramatik e lë dëgjuesin të mendojë të panjohurën e madhe, njëlloj si piktura që e frymëzoi atë.

Instrumentistët nga Orkestrës e Filharmonisë së Kosovës ishin në formën më të mirë të mundshme. Prishtina lulëzon nga meloditë që dhurojnë ata dhe asisoj vazhdojnë qytetarët të frymojnë në kryeqytet. Muzika e tyre që epet aq lehtë nga ta është diçka tejet e nevojshme për kulturën tonë. Në anën tjetër, dirigjenti italian Sipari di Pescasseroli, herë me tabletë para tij e herë me repertor fizik të letrave, ka qarë ajrin me krahët e duart e tij që lëviznin në të gjitha këndet e mundshme.  Ai drejtoi jo vetëm tri veprat pa ndalë, mirëpo u bë pjesë e tyre dhe u shndërrua në muzën e të gjithave, përfshirë këtu edhe audiencën e Prishtinës.

Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe pjesëmarrjen e tij për herë të parë në Filharmoninë e Kosovës, për KultPlus foli vetë dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli.

“Ne menduam që ky është programi i duhur për të krijuar emocione të shumta para publikut. Zgjodhëm tri muzika krejt të ndryshme pasi që janë të ndryshme por ka një emocion shumë të fortë në secilën prej tyre. Më pëlqeu shumë puna edhe me violinisten Voshtina sepse ajo është një violiniste e jashtëzakonshme dhe ka qenë shumë e lehtë puna me të. Ajo e ndjen muzikën në mënyrë të bukur dhe është kënaqësi të punosh me të, sidomos në këtë koncert të mbushur me ndjesi. Të gjitha veprat janë frymëzuese sepse ka mesazhe mbi atë se çka është e rëndësishme në jetë. Në veprën e parë është një himn kombëtar që tregon për bukurinë e shtetit të kompozitorit dhe është një uverturë shumë e vështirë. Vepra e dytë është lirike dhe violina bëhet një soprano që tregon shumë emocione. Ka gjithçka nga pak. Vepra e fundit është një nga veprat më të mira të tij dhe tregon meloditë e valëve të detit që dridh shpirtrat. Ka një shpresë për jetë pas vdekjes në atë vepër dhe kjo e bën të jashtëzakonshëm. Instrumentistët e Orkestrës janë të jashtëzakonshëm dhe e ndjejnë muzikën mirë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, violinistja Abigelia Voshtina për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth koncertit dhe veprës në të cilën performoi si soliste.  

“Vepra është një vepër e cila duket si vëllai më i vogël i veprave të mëdha, por në brendësinë e saj brenda njëzetepesë minutave ka gjithçka, duke filluar nga bukuria e tingullit e deri tek teknika solide që kërkon precizitet. Koncerti është shumë sfidues dhe nuk është fare i thjeshtë. Nëse një violinist e luan dy herë në ditë këtë koncert, u siguroj që do të ketë probleme me shpatullat dhe duart, pasi që kërkon shumë forcë. Orkestra ka një dëshirë shumë të madhe për të qenë pasaportë e kulturës. Përmes artit, nuk ka asnjë barrierë dhe nuk ka ure. Kultura është lokomotiva e një treni që mund të hap shumë dyer. Kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë me pjesëmarrësit. Dua të them që ju duhet të jeni shumë krenarë për Orkestrën që keni dhe doja të ju lutesha që të keni një sallë më të mirë”, thotë ajo.

Po ashtu, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, për KultPlus ka treguar që programi është menduar qysh herët që të shpaloset në kuadër të Filharmonisë së Kosovës.

“Këtë vit e kemi planifikuar prej kohësh që ta nisim me një program të tillë. Bashkëpunimi me solistët ka ardhur nga shumë diskutime që kemi pasur në të kaluarën me ta në programe të ndryshme kulturore. Më vjen mirë që e kemi realizuar këtë koncert më një program që jo shumë shpesh programohet në sezone të koncerteve. Më vjen mirë që vepra “Ishulli i të vdekurve” ka qenë një prej veprave prej kohësh e kam menduar ta sjellë në kuadër të programit të Filharmonisë. Është një nga veprat që shfaq madhështinë që ka kompozitori që e ka kompozuar, i cili nga një motiv arrin të zhvillojë një vepër madhështore, bazuar në një pikturë që ka të njëjtin titull. Më erdhi keq që nuk e projektuam pikturën për të sjellë më fuqishëm veprën. Sidoqoftë, më vjen mirë që Orkestra arriti ta sjellë atë”, ka thënë ai.

Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 24 janar 2025, në orën 19:30, në Autostrada Hangar në Prizren, ku do të prezantohet Kori i Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Hajrullah Sylës.

Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com 

Të ngjajshme