S’jam unë i duhuri, vogëlushe

9 Shtator, 2021 - 11:40 pm

Nga Bob Dylan

Largohu nga dritarja ime
me shpejtësinë që ta ka qejfi!
Unë s’jam ai që ti do, vogëlushe,
s’jam ai për të cilin ke nevojë.
Thua se je në kërkim të dikujt
që është i fortë çdoherë
dhe i dobët asnjëherë.
Që të ruan dhe të mbron
sa herë që ke të drejtë apo lajthit
dhe që ta hap secilën derë,
por nuk jam unë i duhuri
s’jam ai të cilin po e kërkon.

Largohu qetë nga parvazi, vogëlushe!
Zbrit dhe ecë ngadalë nëpër tokë,
ç’e do që s’jam i duhuri,
unë vetëm do të të zhgënjeja.
Thua se do dikë
që të premton se s’do të lërë kurrë
e për ty sytë do t’i mbyllë çdoherë
dhe zemrën me çelës do ta kyçë,
dikë që do të vdesë për ty,
madje do të bëjë më shumë se kaq.
E pra, unë s’jam i duhuri vogëlushe,
jo, jo, jo, s’jam i duhuri,
s’jam ai të cilin po e kërkon.

Shko dyndu prapë në errësirën e natës,
çdo gjë brenda prej guri është bërë.
Këtu nuk lëviz asgjë,
e megjithatë nuk jam krejtësisht i vetëm.
Thua se po kërkon dikë
që do të të ngritë sa herë rrëzohesh,
buqeta lulesh do të të jap çdoherë
dhe të vijë kurdo që ti ta thërrasësh,
pra një dashnor për jetën tënde
asgjë më shumë se kaq,
por unë s’jam i duhuri vogëlushe.
Jo, jo, jo, nuk jam ai që ti po kërkon.

1964 

Shqipëroi: Bujar Meholli / KultPlus.com

(Photo by Michael Ochs Archives/Getty Images)

Të ngjajshme