29 Tetor, 2023 - 4:55 pm
Maratona televizive e Festivalit të Këngës në RTK, “Post Festival” po gërsheton emocionet e garuesve, organizatorëve e njohësve të fushës.
Anëtarja e jurisë profesionale të Festivalit të Këngës në RTK, suedezja Ulja Sjostrom, nga “Post Festivali” tha se Kosova ka zëra të mirë, por që duhet të punojnë më shumë në drejtimin e kompozimit të këngëve për një publikë më të gjerë.
“Kam qenë e impresionuar nga shumë prej artistëve, zërat dhe performancat e tyre janë shumë të mira. Gjithçka ishte perfekte, por e vetmja gjë që duhet përmirësuar është të punoni më shumë për këngë, sepse do të duhej të ishin më interesante për dëgjuesit e jashtëm”, tha ajo.
Ajo ka komentuar edhe fituesin e Festivalit të Këngës, La Fazanin me këngën “Oj Kosovë”, duke thënë se po të ishte mundësia e konkurrimit në “Eurovision”, kjo këngë do të mund të shkonte në garën evropiane.
“Kënga e çmimit të parë ishte kënga e vetme që ka qenë e unifikuar për vendimin. Për mua ka qenë interesimi mes gërshetimit të inovacionit, pjesës qesharake dhe me dromca të kulturës vendase. Kishte hip hop, rap, funk. Kishte stile të shumta dhe kjo e bënte interesante për mua. Mendoj që kjo do të mund të votohej për ‘Eurovision’ dhe mund të mos fitonte por nuk do të ishte nga këngët e fundit të vlerësuara”, ka thënë Sjostrom.
Ndërkaq sa i përket Kosovës ajo tha se ka ndjerë mirëseardhjen e njerëzve si të ishte në shtëpi./rtk/KultPlus.com