Skena Juvenis erdhi e freskët në edicionin e radhës të Chopin Piano Fest Prishtina

21 Prill, 2018 - 6:49 pm

Alberina Haxhijaj

Skena Juvenis në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina mblodhi instrumentistë të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe Rumania.

Kështu kjo natë e mbrëmshme ishte e veçantë pasi përfshiu në vete një udhëtim nëpër shkolla të ndryshme pianistike, kjo pasi instrumentistët dalloheshin nga njëri-tjetri pikërisht për shkak të laramanisë në stilet e tyre. Prandaj, çdonjëri prej tyre i dha kësaj mbrëmje një ngjyrim të veçantë, shkruan KultPlus.

Pianisti Gent Kumnova i cili studion për piano në klasën e profesoreshës Valbona Petrovci e hapi këtë mbrëmje me tingujt e sonatës nr.21 “Waldstein”. Ai për KultPlus tregoi rendësinë e përfshirjes së studentëve në festivalet prestigjoze në Kosovë, siç është Chopin Piano Fest.

“Chopin Piano Fest është shumë i rëndësishëm për muzikën klasike që zhvillohet në Kosovë pasi zakonisht këtu vijnë instrumentistë nga vende të ndryshme. Ata na tregojnë sesi duhet me u lujtë muzika pasi që për ne nuk është traditë me u lujtë muzika klasike, pra nuk kemi rast me e deshmu veten dhe me mbajtë koncerte. Prandaj Chopin Piano Fest është shumë i rëndësishëm për ne por edhe masteklasat na japin shumë informata dhe njohuri”, tha ai.

Mbrëmja vazhdoi me pianisten nga Peja, Denita Deushaj, e cila solli kompozitorin Debussy. Tutje performoi Besart Shala po ashtu nga Universiteti i Prishtinës, në klasën e pianistes Lejla Pula. Ai për të pranishmit solli “Toccata” nga Drinor Zymberi.

Pjesa tjetër e mbrëmjes iu kushtua dy pianistëve nga Shqipëria të cilët i dhanë një karakter më ndryshe kësaj mbrëmje. Pianisti Igli Rapaj nga Vlora tashmë numëron disa çmime për piano dhe solli kompozitorin Chopin. Pas tij erdhi kompozitori F. Liszt përmes ‘Rapsodi Hungareze nr.10’ që e solli pianistja Rejsi Prosi. Rejsi e cila është në klasën e 11-të ishte pianistja më e re e kësaj mbrëmje dhe ka performuar edhe më parë në Prishtinë, me orkestrën studentore ESMA.

Këtë mbrëmje të njohur ndryshe si “Skena Juvenis” e përmbyllën pianistja nga Kosova Anda Kryeziu dhe violinistja nga Rumania Martha-Maria Mitu, dy mike të cilat janë takuar në Zvicërr e që tani takohen rrallë por që çdo herë sjellin një gërshetim të bukur së bashku.

“Për mua është kënaqësi të rikthehem e të luaj në Kosovë pasi që studioj qe shtatë vite jashtë vendit, fillimisht në Zvicër pastaj në Berlin ku kam përfunduar studimet për piano dhe tani studioj për kompozim. Ka kaluar një kohë e gjatë qëkur kam luajtur në piano kështu që ishte shumë emocionuese për mua dhe është nder që jam në këtë festival për të cilin jam shumë krenare”, tregoi Kryeziu.

Gjatë kësaj mbrëmje ishte paraparë që të ndahet edhe Cmimi Special i Chopin Pino Fest Prishtina, çmim ky tradicional i festivalit, që i ndahet një pianisti/pianiste që është student i rregullt në Universitetin e Prishtinës. Mirëpo ndarja e tij është shtyrë dhe audicioni do të rihapet në fillim të muajit qershor, ka treguar Drejtuesja Organizative e Festivalit, Besa Luzha për KultPlus.

Ky Çmim ndahet me mbështetjen e Dr. Herbert Groeger nga Bad Honnef/Salzburg në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij Çmimi special.
Në këtë edicion, çmimi përfshin një koncert recital në Bonn të Gjermanisë, kontakt me Universitetin për Muzikë dhe Vallëzim (Hochschule für Musik und Tanz HfMT) në Köln si dhe vizitë në vendet me rëndësi muzikore historike në Bonn.
“Juria ka vendosur që të ju jap më shumë mundësi studentëve por edhe nxënësve për të marrë pjesë në këtë garë, gjithë kjo pasi që e kuptuam se Çmimi Special i Festivalit për këtë vit do të realizohet në tetor dhe jo në qershor siç ka qenë herën e kaluar. Në këtë mënyrë do kemi edhe më shumë mundësi për zgjedhje për të prezantuar festivalin, Kosovën por edhe shkollën pianistike të Kosovës sa më mirë”, tha Besa Luzha.
Sonte në kuadër të festivalit në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të perfomojë pianisti Janos Balazs. / KultPlus.com

Të ngjajshme